Sport Milan ruan pathyeshmërinë në derbi, kreu i renditjes nuk ndryshon

Milan ruan pathyeshmërinë në derbi, kreu i renditjes nuk ndryshon

Derbi Milan-Inter është mbyllur në barazim 1-1, me kuqezinjtë që vijojnë të pamposhtur këtë sezon në Serie A pas 12 ndeshjeve të para, po ashtu si edhe Napoli.

Interi kaloi i pari në avantazh me anë të Calhanoglu, i cili ktheu në gol një 11-metërsh të kontestuar nga kuqezinjtë në minutën e 11. Festa e zikaltërve zgjati vetëm 6 minuta, pasi De Vrij shënoi autogol duke barazuar shifrat. Në minutën e 27, arbitri akordoi edhe një tjetër penallti për Interin, por ekzekutimi i Martinez u prit nga portieri i Milanit.

Pjesa e dytë nisi me një dominim të skuadrës së drejtuar nga Inzaghi, ndërsa u mbyll me Milanin shumë më kërkues, duke humbur në fundin e ndeshjes disa raste për shënim.

Pas këtij takimi, Milani ruan në 7 diferencën me Interin e vendit të tretë, ndërsa ndan kreun e renditjes me 32 pikë me Napolin, i cili barazoi 1-1 me Veronën.