Extra Moti i nxehtë tundon amerikanët, thyejnë rregullat dhe shkojnë në plazh

Moti i nxehtë tundon amerikanët, thyejnë rregullat dhe shkojnë në plazh

Ardhja e pranverës ka sjellë edhe rritjen e temperaturave dhe ka shtuar dëshirën për të shijuar rrezet e diellit edhe pse e gjitha bota ndodhet në izolim për shkak të COVID-19.

Shumë prej nesh kanë nisur të mendojnë a do të ketë pushime verore. Në Itali pronarët e resorteve janë duke u përgatitur sesi t’i përshtaten rregullave të distancës në breg të detit.

Në shumë shtete vera duket se ka ardhur. Shumë qytetarë amerikanë vendosën të thyejnë rregullat e izolimit dhe të drejtohen në plazhin e Floridas.

Vala e nxehtësisë bëri që edhe mijëra kalifornianë këtë të premte të drejtoheshin në plazhet e hapura në Newport dhe Huntington Beach, pavarësisht nga urdhrat për të qëndruar në shtëpi, dhe në të njëjtën mënyrë turma të mëdha njerëzish u dyndën gjatë të gjithë fundjavës në plazhe. Guvernatori i Kalifornisë, bëri thirrje që ata që vizitojnë bregdetin të ruajnë distancën sociale.

Hapat e provës drejt rinisjes së jetës, shkojnë kundër paralajmërimeve të shumë ekspertëve të shëndetit publik, të cilët thonë se rritja e ndërveprimit njerëzor mund të shkaktojë një valë të re të rasteve të COVID-19.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i prekur nga koronavirusi me numrin më të lartë të viktimave, ndërsa në shumë shtete ka rinisur edhe faza e dytë, ajo e rihapjes së ekonomisë.