Kuriozitete NASA i ndryshon emrin asteroidit më të largët, kishte prejardhje “naziste”

NASA i ndryshon emrin asteroidit më të largët, kishte prejardhje “naziste”

Është objekti më i largët i vizituar ndonjëherë nga anije kozmike, dhe për këtë arsye ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e astronomëve.

Por asteroidi “Ultima Thule” kishte në fakt një problem madhor, emrin. Kjo sepse termi në mitologjinë e lashtë tregonte thjesht një vend shumë të largët, ndërkohë që në fillimet e shekullit të XX  u përdor nga propaganda naziste për të treguar vendin nga vinin popullsitë “ariane”.

Nga ai moment termi ka mbetur në imagjinatën e shumë grupeve të së djathtës ekstreme, dhe gjëja nuk mbeti pa u nënvizuar në opinionin publik.

Aq shumë, sa NASA ka shpallur dje vendimin për ndryshimin e emrit të asteroidit, që nga sot do të njihet me termin “Arrokoth”, që në gjuhën e indianëve të Amerikës do të thotë qiell.

Në deklaratën e saj, NASA nuk përmend historinë emrit të mëparshëm, por vetëm tributin e tyre ndaj popullsive indiane që kalonin pjesë të madhe të kohës duke vrojtuar qiellin.