Opinione Nja grua me një plan/ Elizabeth Warren dëshiron të rindërtojë kapitalizmin amerikan

Nja grua me një plan/ Elizabeth Warren dëshiron të rindërtojë kapitalizmin amerikan

Nga The Economist

Historia e jetës së Elizabeth Warren është e jashtëzakonshme. Ajo lindi në Oklahoma, në një familje ku i është dashur të përballet me vështirësi të shumta. Vite më vonë, ajo vendosi të vazhdojë studimet për drejtësi në Harvard. Si një nënë beqare në vitet 1970, ajo ishte shumë larg asaj që mendohej se duhet të ishte një grua tradicionale, gjë të cilën e përforcoi kur vendosi të ndjekë me kohë të plotë karrierën e saj.

Në një epokë ku rregullat vendosen nga rrjetet sociale, si Twitter, ajo paraqitet si një prej kandidateve kryesore të Partisë Demokratike për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2020. Sondazhe të ndryshme, tregojnë se ajo po garon kokë më kokë me Presidentin aktual Trump dhe se pjesa më e madhe e amerikanëve do të votojnë atë dhe jo Trump-in.

Por, po aq e jashtëzakonshme sa historia e jetës së znj. Warren është edhe ambicia e qartë për të rindërtuar kapitalizmin amerikan. Ajo ka një plan që konsiderohet i admirueshëm, plot me detaje për të transformuar një sistem që sipas saj është i korruptuar dhe që nuk i vjen fare në ndihmë njerëzve të thjeshtë. Shumë nga idetë e saj janë të mira. Znj. Warren ka të drejtë të përpiqet të kufizojë ndikimin e firmave gjigante në politikë dhe dëshirën e tyre të shfrenuar për të gllabëruar firmat rivale më të vogla. Por, në thelb, plani i saj zbulon një mbështetje sistematike ndaj rregullimit dhe proteksionizmit. Dhe kjo, nuk mendohet të jetë zgjedhja e duhur ndaj problemeve të Amerikës.

Znj. Warren është treguar e gatshme t’i përgjigjet një sërë shqetësimesh të qëndrueshme. Amerika është shteti që përballet me një nivel të lartë pabarazie, në krahasim me çdo vend tjetër të madh dhe të zhvilluar. Teksa mundësitë për të gjetur punë në këtë shtet janë të mëdha, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rritjen e nivelit të pagave. Në dy të tretat e industrive, firmat e mëdha po bëhen gjithnjë e më të mëdha, duke u mundësuar atyre që të gjenerojnë fitime jashtëzakonisht të larta për veten dhe të ndajnë gjithnjë e më pak prej këtyre fitimeve me punëtorët.

Dhe pikërisht këtë fakt, znj. Warren e ka marrë si një sfidë personale. Prindërit e saj kaluan periudha shumë të vështira gjatë jetës, përfshirë edhe Depresionin e Madh të viteve 1930. Ndërsa më vonë, karriera e të atit të saj u shkatërrua për shkak të një sëmundjeje që kaloi. Gjatë studimeve, ajo u specializua për të analizuar mënyrën sesi falimentimi ndëshkon ata që rrëzohen në kohë të vështira.

Ideja që gjallëron mendimet e saj, është një klasë e mesme të pasigurt, e varur nga biznesi i madh dhe e tradhtuar nga politikanët që festojnë me fitimet e larta të korporatave në Washington, DC. Disa republikanë dhe kritikë të Wall Street pretendojnë se znj. Warren është një grua me bindje socialiste. Por ajo nuk është. Z. Warren nuk e mbështet pronësinë publike të firmave apo kontrollin politik të rrjedhës së kredisë. Përkundrazi, favorizon rregulloret që e detyrojnë sektorin privat të sillet sipas rregullave të caktuara.

Qëllimi i këtyre rregulloreve është mahnitës, sepse sipas tyre bankat do të ndaheshin midis bankave tregtare dhe atyre të investimeve. Gjigantët e teknologjisë si Facebook do të shpërbëheshin dhe shndërroheshin thjesht në shërbime. Në industrinë e energjetikës, do të kishte një ndalim të nxjerrjes së argjilës (që, për tregjet e naftës, do të ishte pak a shumë njësoj sikur të mbyllej Arabia Saudite), do të ndalohej prodhimi i energjisë bërthamore dhe do të vendoseshin objektiva në drejtim të energjisë së rinovueshme. Do të ndalohej sigurimi shëndetësor privat dhe ai do të zëvendësohej nga një sistem i drejtuar nga shteti.

Baronët e kapitalit privat nuk do të mbroheshin më nga forma e “përgjegjësisë së kufizuar”, përkundrazi ata do të duhet të respektonin borxhet e firmave në të cilat investojnë. Ky rirregullim sektorial do të plotësonte masat gjithëpërfshirëse të ekonomisë, një taksë 15% të sigurimeve shoqërore për ata që fitojnë mbi 250,000 dollarë amerikanë; një taksë vjetore prej 2% për ata me pasuri mbi 50 milionë dollarë amerikanë, një taksë prej 3% për ata me pasuri, me vlerë mbi 1 miliard dollarë amerikanë dhe një taksë shtesë prej 7% mbi fitimet e korporatave.

Të gjitha firmat e mëdha do të duhet të aplikojnë për marrjen e licencës nga qeveria federale, e cila mund të revokohet nëse ato, në mënyrë të përsëritur, nuk marrin në konsideratë interesat e punonjësve, klientëve dhe komuniteteve. Punonjësit do të zgjidhnin dy të pestat e bordit drejtues të kompanive.

Znj. Warren nuk është ksenofobe, por është proteksioniste. Qeveria e saj do të “menaxhonte në mënyrë aktive” vlerën e dollarit. Znj. Warren mbron disa ide, të cilat i mbështet edhe revista “The Economist”. Sipas saj, një prej arsyeve kryesore të pabarazisë është fakti se “qoshet fitimprurëse të ekonomisë” drejtohen nga po të njëjtët persona. Ajo ka të drejtë të bëjë thirrje për një politikë më të fuqishme antitrusti, përfshirë këtu edhe firmat gjigante të teknologjisë, tolerancën zero ndaj nepotizmit dhe prishjen e marrëveshjeve jokonkurruese që kufizojnë aftësinë e punëtorëve për të fituar paga më të larta dhe për të ndërruar punë.

Duke marrë në konsideratë inflacionin, plani i saj për të rritur pagën minimale federale në 15 dollarë gjatë pesë viteve mund të jetë një mënyrë e arsyeshme për të ndihmuar punonjësit e varfër. Të pasurit me të vërtetë duhet të paguajnë taksa më të larta, por sipas programit të znj. Warren, rruga praktike më e mirë është mbyllja e hendeqeve të shumta. Dhe nëse ndoshta vendosja e një takse ndaj karbonit është mënyra e preferuar e pjesës më të madhe të njerëzve për të luftuar ndryshimin e klimës, plani i znj. Warren për arritjen e objektivave të energjisë së pastër do të bënte një ndryshim radikal.

Sidoqoftë, nëse i gjithë plani i znj. Warren do të miratohej, sistemi i Amerikës do të pësonte një tronditje të rëndë. Pothuajse gjysma e firmave të tregjeve të aksioneve dhe firmave me kapital privat do të tronditeshin, ato do t’u nënshtroheshin rregulloreve të ashpra ose do të përballeshin me prishjen e një pjese të madhe të aktiviteteve të tyre. Me kalimin e kohës, axhenda e znj. Warren do të përcaktonte dy filozofi të dyshimta në lidhje me ekonominë. E para lidhet me besimin e saj te qeveria. Sipas saj, kjo e fundit, është e aftë që të bëjë të mira të mëdha, por, si çdo organizatë tjetër e madhe, edhe ajo fatkeqësisht është pronë e paaftësive të shumta dhe e drejtuar nga të njëjtët njerëz. Kur firmat e telekomunikacionit dhe kompanitë e ndryshme të linjës ajrore, iu nënshtruan rregulloreve të shumta të vendosura në vitet 1970, atyre iu zbuluan një numër shumë i madh parregullsish.

Një ndër arritjet më të mëdha të znj. Warren është krijimi në vitin 2011 i një organi për të mbrojtur konsumatorët e shërbimeve financiare. Puna e saj ka qenë vërtet shumë e mirë, por fatkeqësisht edhe ai, në fund të fundit, u shndërrua thjesht në një instrument politik. Filozofia tjetër e dyshimtë është censurimi i biznesit. Ajo nënvleftëson fuqinë dinamike të tregjeve për të ndihmuar amerikanët e klasës së mesme, duke udhëhequr në mënyrë të padukshme veprimet e ndryshme dhe spontane të njerëzve dhe firmave, duke lëvizur kapitalin dhe punën nga industritë që vdesin tek ato në rritje. Por, pa atë shkatërrim kreativ, asnjë veprim i qeverisë nuk mund të rrisë standardet e jetës në një periudhë afatgjatë.

Shumë Presidentë amerikanë kanë treguar se pasi ata kanë marrë postin e shumëdëshiruar, ata janë larguar nga shumë parime, të cilat i kishin gjatë fushatës elektorale dhe që i bënë ata kandidatët kryesorë të partisë së tyre. Nëse znj. Warren do t’ia dalë të ulet në karrigen e Zyrës Ovale, ajo do të përballet me kufizimin nga ana e gjykatave dhe ndoshta, edhe nga Senati.

Madhësia dhe rëndësia e jashtëzakonshme e ekonomisë së Amerikës do të thotë që asnjë individ, madje as Presidenti i Shtëpisë së Bardhë, nuk mund ta ndryshojë lehtë natyrën e saj. Sidoqoftë, masterplani i thellë i qeverisë i znj. Warren përmban edhe pika të cilat shkaktojnë shqetësim të madh. Ajo duhet të gjejë më shumë hapësirë ​​për sektorin novator dhe atë privat dinamik, të cilët kanë qenë gjithmonë në zemër të prosperitetit amerikan.