Aktualitet Një 30-vjeçare shqiptare e martuar, zbulohen detaje për gruan që u mor...

Një 30-vjeçare shqiptare e martuar, zbulohen detaje për gruan që u mor në pyetje për vrasjen e Bledar Dedjas në Itali

Të tjera detaje mësohen për gruan e marrë në pyetje gjatë hetimeve që po kryhen për vrasjen e 39-vjeçarit Bledar Dedja, në Itali. Bëhet fjalë për një 30-vjeçare shqiptare, e martuar po me një shqiptar. Sipas asaj që raportojnë mediat fqinje, ajo dyshohet të ketë pasur një lidhje jashtëmartesore me viktimën. Para hetuesve, 30-vjeçarja ka pranuar se e kishte njohur Dedjan në një aplikacion takimesh, rreth 2 vjet më parë. Ajo u gjurmua nga hetuesit pasi këta të fundit analizuan telefonin e viktimës.

Shqiptarja ishte në mesin e shumë personave që policia italiane ka marrë në pyetje për vrasjen e 39-vjeçarit.

Hetimet janë fokusuar pikërisht në pistën e krimit të pasionit. Dyshimet janë se Dedja, i cili ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, bënte një jetë të dyfishtë, për të cilën bashkëshortja e tij nuk kishte dijeni. Ka dyshimet se ai ishte përdorues i rregullt i aplikacioneve të njohjeve online, që i finalizonte me takime. Dyshime ka po ashtu se ai mund të ketë pasur njohje me disa gra të tjera.

Aktualisht nuk ka ende një autor për krimin e rëndë që ndodhi pasditen e së shtunës në Asolo të Treviso-s. Bledar Dedja u gjet i masakruar me thikë në pyjet e Paderno del Grappa. Goditja fatale i erdhi nga pas dhe i preku mushkërinë. 39-vjeçari u gjet gjysmë i zhveshur, rreth 100 metra larg makinës së tij e cila ishte e mbyllur dhe çelësat dyshohet se u morën nga autori.

Asnjë send me vlerë nuk mungonte, duke hedhur poshtë pistën se vrasja erdhi për shkak të një grabitjeje që shkoi keq.