Aktualitet Njeri vrau kolegun, tjetri plagosi qytetarin: AMP: Arrestuam dy policët e përfshirë...

Njeri vrau kolegun, tjetri plagosi qytetarin: AMP: Arrestuam dy policët e përfshirë në ngjarjet në Tiranë

Foto: Ngjarja në Komisariatin Nr.3 të policisë

Dy punonjësit e policisë që mbrëmjen e të hënës u përfshinë në dy ngjarje të ndryshme, njëra vrasje e tjetra plagosje, janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Më datë 24.05.2022, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të Ludian Zaimi me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.

Arrestimi i punonjësit të policisë Zaimi u krye pasi më datë 23.05.2022, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, ai ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë Çaush Saliasi me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Grupi i posaçëm hetimor vijon kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimeve të autorit të veprës penale, ndërsa materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime te mëtejshme.

Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka referuar materialet proceduriale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë Inspektor Lutfi Gjyli 48 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Repartin e FNSH në Vaqarr, Tiranë.

Arrestimi i tij u krye pasi më datë 23.05.2022, në Sallën e Komandimit është njoftuar për të shtëna me armë në një Bar Kafe në rrugën “Llazi Miho”. Pas mbërritjes në vendngjarje dhe veprimeve të para hetimore ka rezultuar se polici Lutfi Gjyli ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në një lokal dhe në gjendje të dehur ka përdorur armën e tij të shërbimit duke qëlluar në drejtim të 64-vjeçarit Murteza Lika në kohën që ishte i ulur në të njëjtën tavolinë me të.

Si pasojë, 64-vjeçari ka marrë dëmtim në këmbën e majtë dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Lutfi Gjyli u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Punonjësit e policisë të identifikuar si autorë të dyshuar të ngjarjeve të mësipërme, pas arrestimit të tyre në kushtet e flagrancës, aktualisht ndodhen në dhomat e sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.