Extra Njihuni me Jill Biden, Zonjën e Parë të ardhshme të SHBA-ve

Njihuni me Jill Biden, Zonjën e Parë të ardhshme të SHBA-ve

Kur Joe Biden kandidonte për president në vitin 1990, ai u tha amerikanëve se gruaja e tij Jill është “Zonja e Parë” për të cilën ata kanë nevojë.

“Për të gjithë ju në të gjithë vendin, thjesht mendoni për edukatoren tuaj të preferuar e cili ju dha vetëbesimin. Ky është lloji i Zonjës së Parë … Jill Biden do të jetë.”- shprehej Biden.

Por çfarë dimë për gruan që së shpejti do të zëvendësojë Melania Trump-in në Shtëpinë e Bardhë?

Jill Jacobs lindi në qershor të vitit 1951 në shtetin amerikan të New Jersey-t. Ajo është më e madhja nga pesë motrat dhe u rrit në periferi të Filadelfias.

Para se të martohej me Joe, ajo kishte qenë e martuar më parë me ish-futbollistin e kolegjit Bill Stevenson.

Joe Biden kishte humbur gruan e tij të parë dhe vajzën e tij një vjeçare në një aksident automobilistik në vitin 1972. (Djemtë e tij Beau dhe Hunter të dy i mbijetuan aksidentit.) Jill thotë se ajo u prezantua me Bidenin përmes vëllait të tij tre vjet më vonë.

Në atë kohë, ai ishte senator, ndërsa ajo ishte ende në kolegj.

“Unë kisha dalë me djem me xhinse dhe bluza, ai erdhi te dera dhe kishte një pallto sportive dhe këpucë dhe unë mendova: “Oh Zot, kjo nuk do të funksionojë kurrë as në një milion vjet”.

“Ai ishte nëntë vjet më i madh se unë! Por ne dolëm për të parë në kinema filmin ‘A Man and a Woman’ në Filadelfia dhe me të vërtetë u përputhëm” – tha ajo për revistën Vogue për takimin e tyre të parë.

Jill tha se Joe i propozoi asaj pesë herë para se ajo të pranonte.

“Nuk mund të lejoja që fëmijët e Joe-it të humbnin një nënë tjetër. Kështu që unë duhej të isha 100% e sigurt.”- shpjegoi ajo.

Çifti u martua në New York në vitin 1977. Vajza e tyre, Ashley, erdhi në jetë në vitin 1981.

Zonja Biden ka folur dhe për familjen e saj dhe betejat me të cilat janë përballur që kur bashkëshorti i saj tentoi të kandidonte për president.

Djali i tij Beau Biden vdiq nga kanceri i trurit në maj të vitit 2015, në moshën 46 vjeçare.

“Unë e di që nëse ne ia besojmë këtë komb Joe-it, ai do të bëjë për familjen tuaj atë që bëri për tonën – na bashkoi dhe na bëri më të plotë, na çon përpara në kohë nevoje, mban premtimin e Amerikës për të gjithë ne.”- shprehet Jill Biden.

Karriera si mësuese

Znj. Biden e cila sot është 69 vjeç, ka dhënë mësim për disa dekada.

Ajo ka një diplomë bachelor, dy diploma master si dhe një doktoraturë nga Universiteti i Delaware që e ka marrë në vitin 2007.

Para se të shkonte në Uashington, ajo jepte mësim në një kolegj të komunitetit, në një shkollë të mesme publike dhe në një spital psikiatrik për adoleshentë.

Ndërsa burri i saj shërbente si zv.president, zonja Biden ishte profesoreshë e anglishtes në Kolegjin e Komunitetit të Veriut në Virxhinia.

“Mësimdhënia nuk është ajo që bëj unë. Është kush jam.”- shkroi ajo në Twitter në muajin gusht.

Origjina italiane

“Kur isha e vogël i kalonim të gjitha të dielat te gjyshërit e mi. Hanim spaghetti dhe shtëpia vinte aromë borziloku dhe domatesh”. Fjalë dhe kujtime të Jill Biden, bashkëshortja e presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Mësuese e anglishtes, Jill ka origjinë italiane: gjyshi i saj nga i ati ishte sicilian. Mbiemri i tij, Giacoppa, u anglikizua në ‘Jacobs’ kur në Ellis Island, në shtetin e New York.

Jill Biden në politikë

Zonja Biden mbante titullin e Zonjës së Dytë të SHBA-ve, kur burri i saj shërbeu si zv.president nga viti 2009 në 2017-ën.

Gjatë kësaj periudhe, puna e saj përfshinte promovimin e kolegjeve të komunitetit, avokimin për familjet ushtarake dhe rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me parandalimin e kancerit të gjirit.

Ajo gjithashtu nisi iniciativën e ‘Bashkimit të Forcave’ me Zonjën e Parë Michelle Obama, e cila përfshinte ndihmën për veteranët ushtarakë dhe familjet e tyre për të hyrë në programet arsimore dhe burimet e punësimit.

Në vitin 2012, ajo publikoi një libër për fëmijë të quajtur “Don’t Forget, God Bless Our Troops” bazuar në përvojën e mbesës së saj e cila bënte pjesë në një familje ushtarake.

Ajo ka qenë një mbështetëse e flaktë e burrit të saj gjatë fushatës së 2020-ës, duke u shfaqur përkrah tij në evente dhe mbledhje fondesh.