Bota Pse Afrika po triumfon përballë Covidit?

Pse Afrika po triumfon përballë Covidit?

Afrika po përballon shumë më mirë se ç’pritej pandeminë. Në pranverë në nisje të përhapjes së koronavirusit nëpër botë, OBSH ishte veçanërisht e shqetësuar për kontinentin afrikan pikërisht për mungesën e infrastrukturës e varfërinë ekstreme dhe parashikoi që nëse virusi do përfshinte Afrikën, mund të vriste deri në 3 milion njerëz. Por sot, aty numërohen 40 mijë të vdekur, që padyshim nuk mund të quhet shifër pozitive për humbjet e jetëve.

Duke patur parasysh që Afrika numëron 54 shtete, me 1.3 miliardë banorë, numrat mund të ishin shumë më dramatikë. Ndërkohë kujtojmë që rreth 40 mijë viktima të Covid numërohen vetëm në Itali, në një popullsi prej rreth 60 milionë banorësh.

Sipas ekspertëve, mosha e re e popullsisë ku 60% janë nën 25 vjeç, eksperiencat me epidemitë e tjera, për rrjedhojë një imunitet i fortë dhe personeli i specializuar në trajtimin e infeksioneve të rënda si HIV, Ebola, Tuberkuloz, Malarie etj, ndoshta ndihmuan vërtetë që mos të konsumohej një tragjedi.

Të gjitha këto ndikuan që edhe sistemet shëndetësore mos binin në kolaps, por të përballonin valë e parë të pandemisë në mënyrë shumë më efikase se ç’mund të pritej.