“Norwegian Air Shuttle ASA”, kompania e tretë më e madhe “low cost” në Europë, e dyta më e madhe në Skandinavi dhe e nënta në Europë për nga numri i pasagjerëve, njoftoi këtë të enjte planet për të ofruar fluturime transatlantike mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës duke nisur nga çmimi prej vetëm 65 dollarësh, duke shtuar kështu presionin ndaj rivalëve amerikanë dhe europianë.
“Norwegian” po zgjeron rrjetin e saj të fluturimeve në Shtetet e Bashkuara duke nisur nga mesi i qershorit, pasi mori miratimin e shumëpritur në fund të vitit të kaluar që dega e saj irlandeze të operojë me kurset përtej Atlantikut.
Përpjekjet e “Norwegian” dhe rivalit islandez “Wow Air” për të ofruar bileta me çmime të ulëta për fluturimet transatlantike janë sfiduar prej një kohe të gjatë nga kompanitë amerikane, të cilat janë detyruar të konsiderojnë ofrimin e biletave të ngjashme, me më shumë kufizime dhe kabina të rimodeluara, në mënyrë që të tërheqin udhëtare me buxhete jo shumë të larta.
Bileta e udhëtimit prej 65 dollarësh nga “Norwegian” do të ishte vetëm për një drejtim, nga Nju Jorku, Providence (Rhode Island) dhe Hartford (Connecticut) drejt Britanisë apo Irlandës.
“Unë paguaj për atë që dua unë, ju paguani për atë që kërkoni ju. Ne nuk mund të paguajmë për atë çfarë kërkojnë pasagjerët e tjerë në aeroplan”, tha zëdhënësi i “Norwegian Air”, Anders Lindstrom.
Rritja e konkurrueshmërisë në fluturimet transatlantike kanë detyruar gjithashtu të ndërmarrin veprime të tjera edhe kompani ajrore europiane.
Kompania IAG (International Airlines Group), me pronar “British Airways”, planifikon gjtihashtu të nisë fluturimet “low cost” nga Barcelona brenda këtij viti, ndërsa shefi ekzekutiv Willie Walsh tha gjatë këtij muaji se modeli i avionëve të “Norwegian” ka detyruar IAG-në të konsiderojë mënyra të tjera operimi.
Ndërkohë, “Air France”, pjesë e grupit franko-holandez “Air France-KLM), po avancon planet për një linjë të re “low cost” në projektin e quajtur “Boost”, ndërsa “Lufthansa” po zgjeron buxhetet nëpërmjet fluturimeve të bizneseve të tij “Eurowings”.
Strategjia ekspansioniste e “Norwegian Air” ka ndihmuar atë të dyfishojë të ardhurat që prej vitit 2012. Vitin e kaluar, të ardhurat e kësaj kompanie u rritën me 16% në 3.12 miliardë dollarë, ndërsa kompania ka porositur 260 avionë “Boeing” dhe “Airbus”, të cilat do t’i marrë në një periudhë disavjeçare në vijim.