Kryesore OFL i dërgoi formularin/ Kush është Elidon Kotorri dhe masakra në Tiranë...

OFL i dërgoi formularin/ Kush është Elidon Kotorri dhe masakra në Tiranë pas vrasjes së shokut

OFL i dërgoi sot formularin për deklarimin e pasurisë dy personave të dënuar me burg për vrasje në Tiranë. Njëri prej tyre është pikërisht Elidon Kotorri, i cili është dënuar për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një tjetri.

Kush është Elidon Kotorri?

Elidon Kotorri ka qenë një personazh i njohur gjatë fundit të viteve ’90 pasi u dënua me 25 vite burg për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një tjetri. Ai u akuzua për vrasjen e trefishtë të Andi Hasanit, Sokol Alushit dhe Gazmend Zenelit si edhe plagosjen e një tjetri.

Vrasja ndodhi për hakmarrje pasi i vranë shokun e tij.

Ngjarja

Më datë 14 dhjetor 1998, në ambientet e jashtme të klubit sportiv “Partizani” u vra me armë zjarri Elton Zajmi.

Për këtë ngjarje, Prokuroria e Tiranës akuzoi Andi Hasanin. 13 muaj më vonë, në një atentat te stacioni i fundit i Tiranës së Re, gjeti vdekjen Andi Hasani, i cili ishte në makinën e tij tip “Volvo”, së bashku me shtetasit Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe Gregor Stefani.

Sipas prokurorisë, Kotorri iu vu pas vrasësit të shokut dhe te “Vasil Shanto”, ka qëlluar me armë zjarri kundrejt tyre.

Nga të shtënat mbetën të vrarë Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli, ndërsa Gregor Stefani mbeti i plagosur.

Po sipas dosjes së dorëzuar nga prokuroria, Kotorri është kthyer me motor në vendngjarje për të mësuar faktin nëse kishte vdekur apo jo Andi Hasani.

Nga këqyrja e saj rezulton se janë gjetur dy armë automatike kallashnikov, një mitraloz i lehtë, dy maska të trikotuara, me vrima te sytë, një pallto, një pardesy, dorashka, kapele sintetike dhe 38 copë gëzhoja.