Politika “Pakoja e Madhe”, Meta: Pilulë mashtrimi elektoral

“Pakoja e Madhe”, Meta: Pilulë mashtrimi elektoral

Për 1 milionë qytetarë të kategorive të ndryshme qeveria ka vendosur të lëvrojë një fond prej 8 miliardë Lekësh, si mbështetje për inflacionin e shkaktuar nga kriza e çmimeve.

Në lidhje me këtë, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat ka hedhur akuza ndaj qeverisë ku ka thënë se “Pakoja e Madhe” është “një pilulë mashtrimi elektoral”.

“Nuk mund të rrija pa e nisur këtë fushatë me denoncimin e pilulës mashtruese elektorale me zero impakt real në zbutjen e krizës së çmimeve dhe kostos së jetesës nga ana e “Qeverisë së Rilindjes”, e cila vendosi të ndajë 8 miliardë Lekë për pensionistët dhe familjet në nevojë edhe pse si pasojë e inflacionit të lartë në 11 muaj, arkëtoi mbi 520 Milionë Dollarë. Ndërkohë që “Kryeministri i Rilindjes” trompeton me të madhe “Pakon e Madhe” me 80 milionë Euro, vetëm sipas raportit zyrtar të KLSH-së, shpërdorimi i taksave të shqiptarëve kalon shifrën e 1 miliardë Eurove, vetëm për periudhën Janar-Nëntor 2022“, tha Meta.

Kryetari i PL-së, Meta gjatë konferencës me gazetarët tha se administrata publike është shtuar me 22 mijë vetë, ndërsa 700 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin dhe për këto, akuzat i hodhi drejt Kryeministrit Rama.

“700 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin. Nëse 700 mijë shqiptarë janë larguar gjatë qeverisjes së Ramës, ky ka shtuar administratën publike me të paktën 1 bashki sa Gjirokastra, 22 mijë veta“, akuzoi Meta.

Kreu i PL-së tha se vitit 2023 do të jetë “viti i ndryshimit”.

“Viti ku kemi hyrë, është një vit shumë i rëndësishëm, do të jetë viti i ndryshimit, të ekonomisë tonë dhe ekonomive familjare”, përfundoi Meta.