Politika PD, shkresë Policisë së Tiranës për tubimin e 11 shkurtit: Priten deri...

PD, shkresë Policisë së Tiranës për tubimin e 11 shkurtit: Priten deri në 100 mijë protestues

Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë Policisë së Tiranës ku e ka njoftuar për protestën që do të zhvillojë më 11 Shkurt. Në letrën që mban firmën e Sekretarit të Organizativ në Partinë Demokratike, Ervin Minarolli, thuhet se tubimi do të nisë në orën 12:00.

Përballë Kryeministrisë pritet të vendoset një foltore. Minaroli sqaron se pjesëmarrja mund të variojë nga 80 mijë deri në 100 mijë protestues të cilët do të lëvizin në drejtim të bulevardit nga selia e PD, sheshi “Nënë Tereza” dhe sheshi “Skënderbej”.

Po ashtu, sqarohet se personat që do të flasin do të jenë drejtues të PD-së dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Për të ndihmuar në mbarëvajtjen e tubimit do të jenë rreth 200 persona të cilët do të jenë të pajisur me letra dalluese.

“Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë.

Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00;

Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit;

Foltorja do të vendoset në Bulevard përballë Kryeministrisë;

Personat që do të flasin në protestë do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Grupi i personave ndihmës për mbarëvajtjen e tubimit do të jenë rreth 200 persona me moshë mbi 18 vjeç, të pajisur me shenjat dalluese, shirit i bardhë me mbishkrimin PMT”, thuhet në letrën e PD drejtuar policisë.