Politika Pedagogu Beqa: Kryeministri i parë i Palestinës ishte shqiptar

Pedagogu Beqa: Kryeministri i parë i Palestinës ishte shqiptar

Pedagogu Mentor Beqa ka treguar mbrëmë një detaj interesant.

Ai u shpreh se qeveria e parë palestineze ka pasur një kryeministër shqiptar. Beqa bëri me dije se ai ka qenë Al-Arnauti, një personalitet i famshëm i botës post-osmane.

“Vetëm një kuriozitet. Qeveria e parë palestineze ka qenë e vendosur në Gaza dhe kryeministri i saj ka qenë një shqiptar, Al-Arnauti, një personalitet i famshëm i botës post-osmane. Ka qenë ministër Financash i Jordanisë për një periudhë të gjatë dhe pastaj në moment që shpalli pavarësinë shteti i Izraelit, Liga Arabe krijoi shtetin e Palestinës, dhe kryeministri i parë i saj ka qenë në fakt një shqiptar”, tha Beqa në “Opinion”.

Më 9 korrik 1948, pasi Izraeli shpalli pavarësinë, Liga Arabe vendosi Këshillin Administrativ për Palestinën, që drejtohej nga Al Arnauti, emri i vërtetë i të cilit ishte Ahmet Hilmi Abd al-Baqi.

Më 22 Shtator të atij viti, Asambleja Kombëtare u vendos në Gaza ku President ishte Amin al-Husayni, ndërsa Al-Arnauti kryeministër.

Ai lindi në vitin 1883 në Sidon në Liban. Me emrin Al-Arnauti atij i referoheshin disa nga personalitetet e botës arabe asokohe. Al-Arnauti ka qenë edhe pjesë e ushtrisë së Perandorisë Osmane ku ka mbajtur detyrën e Gjeneralit.