Aktualitet Pesë orë në pyetje nga prokurorët e SPAK, Ahmetaj: Sqaruam pozicionin, kaq!

Pesë orë në pyetje nga prokurorët e SPAK, Ahmetaj: Sqaruam pozicionin, kaq!

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka shkuar këtë të enjte në SPAK, ndërsa po hetohet për “shpërdorim të detyrës”, “fshehje të të ardhurave”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.

Pas mbi 5 orësh brenda ambienteve të SPAK, Ahmetaj ka dalë rreth orës 17:40 dhe në një prononcim të shkurtër për mediat u shpreh se vetëm ka sqaruar pozicionin.

“Sqaruam pozicionin, kaq…”, tha ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

Për çfarë akuzohet Ahmetaj?

Emri i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj është regjistruar si person nën hetim nga SPAK. Ai akuzohet për veprat penale “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”.

Në fillim të muajit mars, agjentët e BKH-së kryen kontrolle në banesën e partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij në Tiranë. Shtëpia në Hamallaj dhe një vilë në Palasë, që dyshohet se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, u vendosën nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme.

Hetime edhe jashtë Shqipërisë për Ahmetajn

Hetimi i nisur nga SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, është shtrirë edhe jashtë kufijve. Burime zyrtare të Prokurorisë së Posaçme, konfirmuan se për llogari të këtij hetimi, i regjistruar në numrin 277/1, janë dërguar disa letërporosi jashtë vendit.

Sipas burimeve, përmes tyre është kërkuar kryerja e verifikimeve nga autoritetet e këtyre vendeve për dyshimet e ngritura ndaj ish-ministrit të Financave për mundësinë e përfshirjes në korrupsion, pastrim të parave apo fshehjes së pasurisë. Për disa nga këto letërporosi, SPAK ka marrë përgjigje dhe është duke përpunuar informacionin e përcjellë, ndërsa për të tjerat është ende në pritje.

Vendimi i sekuestrimit të vilave ankimohet në Apel

Në fillim të muajit prill të këtij viti, avokatët e ish-ministrit të Financave ankimuan në Apel vendimin e GJKKO për sekuestrimin e një vile në Palasë dhe një në Hamallaj, që sipas SPAK, zotërohen nga ish-bashkëshortja dhe partnerja aktuale e ish-ministrit. Sipas burimeve nga SPAK, vila në Palasë është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave.

Godina në fjalë nuk rezulton e regjistruar në emër të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por në emrin e një zonje, rreth miqësor i saj. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj e vënë në sekuestro me vendim gjykate i përket bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj. Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e BHK, më 8 mars.

Akuzat për përfshirjen e Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve

Ahmetaj është një nga personat më të akuzuar nga ana e opozitës, si i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.

Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit.