Aktualitet Po shkonte të hante darkë me prindërit pas pune, aksidentohet për vdekje...

Po shkonte të hante darkë me prindërit pas pune, aksidentohet për vdekje 28-vjeçari shqiptar në Itali

Një 28-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë, të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Itali.

Mësohet se, i riu shqiptar, i identifikuar si Iralt Merdita, sapo kishte mbaruar punën dhe po shkonte në Ghedi për të ngrënë darkë me familjen e tij, por fatkeqësisht u përfshi në një aksident tragjik, që i mori jetën.

Nga përplasja e fortë me një mjet “Volkswagen Passat”, Merdita “fluturoi” nga motori i tij tip “Honda” duke pësuar lëndime shumë të rënda.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën autoambulancat që e transportuan në spitalin Civil në Brescia, por shqiptari nuk mundi të mbijetojë pasi vdiq në një shtrat në njësinë e kujdesit intensiv pak para agimit të ditës së sotme.

Me profesion mekanik, ai jetonte në Ghedi dhe kishte disa muaj që punonte në “Warner Car” në Leno, njoftojnë mediat italiane.

Dinamika e aksidentit dramatik, që ndodhi në orën 20 të së mërkurës së 21 qershorit, është ende duke u shqyrtuar nga hetuesit.

Shoferja e mjetit “Passat”, një 40-vjeçare shqiptare nga Leno, ka pësuar tronditje të rëndë dhe është dërguar në spitalin e Manerbios për mjekim dhe analiza të nevojshme.