Aktualitet Policia zbardh atentatin në Don Bosko: Erion Çela u vra gabimisht, Kasandër...

Policia zbardh atentatin në Don Bosko: Erion Çela u vra gabimisht, Kasandër Noga pagoi për ekzekutimin

Erion Çela (viktima) dhe Kasander Noga (porositesi i atentatit)

Atentati i Don Boskos në kryeqytet me një të vrarë dhe 4 të plagosur më 4 Janar 2022 ka ndodhur për shkak të ngatërrimit të objektivit nga ana e autorëve.

Ky është konkluzioni i Policisë së Tiranës, që ditën e sotme përmes një komunikate me median, drejtori i këtij institucioni Tonin Vocaj bëri të ditura rezultatet e hetimit për operacionin e koduar “Fokus”.

Sipas tij, nga hetimet është zbuluar se atentati synonte vrasjen e Geron Hasanbelliut dhe nipërve të tij. Porosia është dhënë nga Kasandër Noga në Belgjikë, deklaroi drejtori i Policisë Tiranë. Shkak ka qenë hasmëria e vjetër mes tyre.

Kasandër Noga kishte kontraktuar Kevin Zeneli Suçin për kryerjen e krimit. Ky i fundit kontaktoi edhe 3 persona të tjerë, Ilirjan Feçin dhe vëllezërit Beqiraj, Indritin dhe Gentjanin.

Po këta dy të fundit, megjithesë fillimisht morën përsipër kryerjen e vrasjes dhe kanë kryer veprime konkrete, pas disa kohësh janë tërhequr nga frika.

Në këto kushte, Kevin Zeneli Suçi kontaktoi persona të tjerë, ende të paidentifikuar, për të kryer krimin.

Më 4 janar 2022, Kevin Zeneli Suçi së bashku me personat e rinj që kishte kontaktuar, hapën zjarr në drejtim të një lokali në Don Bosko, duke lënë një të vrarë dhe 4 të plagosur.

Viktimë mbeti Erion Çela dhe u plagosën 4 të tjerë që ndodheshin në tavolinë me të, të gjithë të pafajshëm dhe nuk kishin lidhje me ngjarjen.

Kevin Suçi dyshohet se është ndihmuar edhe nga një person tjetër për krimin. Policia e Tiranës tha se ai person është Roland Ahmetsulaj, i cili ka në pronësi një njësi shërbimi për riparimin e automjeteve. Ky i fundit është arrestuar dhe akuzohet për sigurim i kushteve për të kryer vrasje.

Të arrestuar janë edhe vëllezërit Indrit e Gentjan Beqiraj, si dhe Ilirjan Feçi, të gjithë të akuzuar për sigurim i kushteve për të kryer vrasje.

Ndërsa Kevin Suçi Zeneli, i akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje, vijon të jetë në kërkim.

Ndërkohë, Kasandër Noga, i akuzuar për vrasje në rrethana cilësues, është i arrestuar në Belgjikë.