Bota PORTRET/ Netanyahu, magjistari i mbijetesës në politikë

PORTRET/ Netanyahu, magjistari i mbijetesës në politikë

Kryeministri më afatgjatë në historinë moderne të Izraelit, Benjamin Netanyahu është një magjistar i mbijetesës politike, i cili duhet të nxjerrë edhe dy lepuj nga kapelja e tij: të fitojë zgjedhjet sot, më pas ”të mposhtë” drejtësinë që e akuzon për korrupsion.

Shpesh i quajtur ”mbreti Bibi” nga simpatizantët e tij, në nëntor ai u bë i vetmi kryetar qeverie në detyrë që akuzohej nga drejtësia. I akuzuar për korrupsion, abuzim me pushtetin dhe shpërdorim fondesh, procesi gjyqësor do të nisë më 17 mars.

Me një zë të ashpër tenori, flokë ngjyrë argjendi të çrregullta, shpesh i veshur me një kostum dhe kravatë blu, 70-vjeçari Benjamin Netanyahu, u vendos në zemër të sistemit politik sikur të kishte qenë gjithmonë pjesë e tij.

Ky strateg i shkëlqyer është i vetmi kryeministër që ka lindur pas krijimit të shtetit të Izraelit, në maj të vitit 1948.

I lindur në Tel Aviv më 21 tetor 1949, ai trashëgoi një bagazh ideologjik të gjerë nga babai tij Benzion, i cili ishte asistenti personal i Zeev Jabotinsky, udhëheqësi i të ashtuquajturës tendencë sioniste, “revizioniste”, që mbështeste një “Izrael të madh”.

Sot, Benjamin Netanyahu mbron një vizion të Izraelit si “shteti hebre”, kufijtë e të cilit shtrihen në verilindje deri në Jordani, ku premtoi aneksimin e Luginës së Jordanit, të vendosur në Cisjordani, territori i pushtuar palestinez.

Më i riu

Netanyahu i ri kreu shërbimin ushtarak në një komandë prestigjioze. Lindja e Mesme atëherë ishte e përfshirë në pasLuftën e 6 Ditëve në vitin 1967, e cila rezultoi me pushtimin nga Izraeli të territoreve palestineze të Cisjordanisë, Gazës dhe Jeruzalemit lindor si edhe të Golanit sirian dhe Sinait egjiptian.

Ndërsa arabët u shkaktuan një humbje të hidhur. Megjithatë, ishte e nevojshme ardhja e aktorëve të rinj si Organizata e për Çlirimin e Palestinës (OÇP), që mblidhte grupe të armatosura palestineze.

Në vitin 1976, vëllai i madh i Benjaminit, Yoni, që komandonte njësinë përgjegjëse për të liruar pengjet e një fluturimi Tel Aviv-Paris, rrëmbyer nga dy organizata palestineze dhe gjermane në Uganda, u vra gjatë sulmit në Izrael.

Kjo vdekje e tronditi shumë Benjamin Netanyahun, i cili do të niste “luftën kundër terrorizmit”, duke e lidhur me palestinezët, një nga prioritetet e karrierës së tij.

Orator i lindur, i guximshëm, ai bëhet diplomat në Uashington, më pas ambasador në OKB në vitet 1980. Pas kthimit në Izrael, ai u zgjodh deputet në vitin 1988 nën banderolën e ”Likud”-it, një parti e madhe e krahut të djathtë në të cilin merr kreun me stil ala amerikan.

Përgjatë Luftës së Gjirit, në vitin 1991, kur Izraeli pushtohet nga një ”shi” raketash irakiane, ai mbron këndvështrimin izraelit në kanalin amerikan CNN. Mjaft i qetë përballë kamerës, ai njeh kodet e medieve dhe flet rrjedhshëm anglishten, duke qenë se ka kryer studimet në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT).

Ai vazhdon ngjitjen e tij deri në një konfirmim të parë solemn në vitin 1996. Në moshën 47-vjeçare, Benjamin Netayahu triumfon ndaj dekanit Shimon Peres dhe bëhet kryeministri më i ri në historinë e Izraelit.

Por, mbretërimi i tij zgjati pak. Vetëm tre vite. Dhe pas një tërheqjeje të shkurtër, ai i rikthehet pasionit të tij: politikës. Dhe merr kreun e ”Likud”-it, e më pas rimerr postin e kryeministrit në vitin 2009.

Luftë personale

Që atëherë, Izraeli ka njohur vetëm “Bibin”, mjeshtër në artin e formimit të koalicioneve, emërimit të partive të vogla dhe formacioneve ultra-ortodokse, për të forcuar pushtetin e tij.

Ai paraqitet si mbrojtës i madh i shtetit hebre përballë Iranit, “Amalekut” të ri, armikut vdekjeprurës të hebrejve në Bibël. Kundërshtarët e përshkruajnë më tepër si një diktator, i gatshëm për gjithçka për të ruajtur postin.

Ideolog apo pragmatik? Kjo është pyetja e madhe.

“Edhe pse Benjamin Netanyahu simpatizon politikën e babait të tij, aktet e tij si kryeministër janë motivuar mbi të gjitha nga konsiderata pragmatike”, shkruan akademiku Neill Lochery në një biografi të fundit.

I martuar dhe baba i tre fëmijëve, Benjamin Netanyahu tani ndodhet nën kthetrat e drejtësisë për korrupsion, mashtrim dhe shkelje të besimit në rastet e dhurimeve nga miliarderët, shkëmbimet e të mirave materiale me pronarët e kompanive, dhe përpjekje për marrëveshje sekrete me shtypin.

Për Gideon Rahatin, profesor i shkencave politike në Universitetin hebre të Jeruzalemit, ai lëkundet mes skifterit ekstremist dhe të moderuar.

Por, “që prej akuzave për korrupsion, ai është më i prirur ndaj populizmit dhe ligjeve antidemokratike (…) Ai po lufton për mbijetesë, për të shmangur gjykatat, është një luftë personale”, thotë ai.

Pas ngritjes së padive, mediet izraelite kishin deklaruar fundit e epokës së Netanyahut.

Por, ato duhet të presin ende…