Bota Prag lufte me Bjellorusinë, kryeministri polak shkon në kufi me ushtrinë, mbështetje...

Prag lufte me Bjellorusinë, kryeministri polak shkon në kufi me ushtrinë, mbështetje nga BE

Bjellorusia nuk do të nisë një luftë me Poloninë. Kështu u shpreh presidenti Aleksandër Lukashenko duke komentuar tensionet e fundit në kufirin mes dyja vendeve, ku janë grumbulluar mijëra emigrantë që kërkojnë të hyjnë në shtetin anëtar të Bashkimit Europian.

“Nxjerrja e armëve në botën moderne është vetëvrasje. Është vetëvrasje. Lëre pastaj të ndodhë këtu, në qendër të Europës, aq më shumë me Bjellorusinë. Këtu, në këtë rrip toke, u zhvilluan të gjitha luftrat, gjithçka nisi nga këtu”, tha Lukashenko.

Rusia ka konfirmuar mbështetjen për Lukashenkon, i cili lutet që palët të mos bëjnë ndonjë veprim të gabuar sepse kjo do t’i sillte botës një luftë të tretë.

“Mos e dhëntë Zoti, që ne të bëjmë ndonjë gabim apo hap të gabuar, pasi menjëherë do fusnim Rusinë në këtë dhe është fuqia më e madhe e armatosur bërthamore. Unë nuk jam një i çmendur, e kuptoj shumë mirë se çfarë mund të sjellë kjo”, shtoi presidenti bjellorus.

Retorika e luftës apo e konfrontimit të mundshëm lindi pasi Polonia rreshtoi ushtrinë në kufirin me Bjellorusinë për të penguar valën e emigrantëve të paligjshëm duke akuzuar Minskun se ka orkestruar gjithçka si një provokim dhe se po luan me jetët njerëzore duke i përdorur ato si armë.

Varshava zyrtare nuk e përjashton mundësinë e një përshkallëzimi të armatosur, teksa kufirin e vizitoi vetë kryeministri Mateusz Morawiecki.

Nga aty paralajmëroi se siguria e të gjithë Bashkimit Europian është në rrezik.

“Ne e dimë që ky është një operacion plotësisht i planifikuar dhe synon që të prishë sovranitetin në vendin tonë. Kjo është shumë e qartë për ne. E dimë mirë se po ndodh një kërkim për pikat e dobëta në kufi”, deklaroi kryeministri polak.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë vendosur në krah të aleatit të tyre, Polonisë. Masa e parë e marrë nga Brukseli është pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes për lehtësimin e vizave me Bjellorusinë. Ndërsa po përgatiten dhe sanksione shtesë, më të rënda.