Politika Rama bën bilancin e mandateve në tavolinë: Po bëri ndonjë tërmet, marrim...

Rama bën bilancin e mandateve në tavolinë: Po bëri ndonjë tërmet, marrim edhe 80 deputetë

Kryeministri Edi Rama bëri një parashikim për numrin e mandatave që mendon se do të marrë Partia Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit, gjatë një takimi elektoral në Kuç të Vlorës, ku u prit edhe me këngë polifonike labe.

“Ne marrim 74 deri në 78 mandate, pastaj po bëri ky ndonjë tërmet të madh, marrim edhe 80”, tha Rama në krah të Gjiknurit. Kryeministri i bëri llogaritë edhe me detaje, duke ndarë mandatet që mendon se do të marrë në rrethe të ndryshme.

“Në Tiranë 19, në Elbasan 8, në Korçë 6, Berat 5, Fier 10, Vlorë 9, Gjirokastër 3”, shtoi Rama, duke thënë se vetëm në pjesën veriore opozita kishte mundësi të merrte ndonjë mandat më shumë.

Kryeministri nuk i shmangu edhe këtë herë komentet për presidentin, duke thënë se ka pasur edhe ditë të mira mes tyre. “Ai është me hënë, kur kthehet hëna mbarë, ka bërë edhe gjëra të mira, kemi bërë edhe punë bashkë. Këtë herë hëna është mbrapsht dhe ka harruar të kthehet”, tha Rama.