Kryesore Rama në Dibër: Përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do të jenë...

Rama në Dibër: Përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do të jenë ata që janë rreth e rrotull saj

Kryeministri Edi Rama ishte në Dibër këtë të shtunë ku zhvilloi një takim me operatorët turistikë. Kreu i qeverisë foli për projektin e Skavicës. Ai theksoi se përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do të jenë ata që janë rreth e rrotull saj.

Sipas tij, Skavica jo vetëm që do na garantojë një nga gurët themelorë të sovranitetit energjetik, por do të hapë një perspektivë të jashtëzakonshme për gjithë zonat atje.

“Për çfarë e kundërshtojnë Skavicën, përse? Ndërkohë që përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do të jenë ata që janë aty rreth e rrotull. Skavica nuk është thjeshtë çështja që do të na garantojë ne një nga gurët themelorë të sovranitetit energjetik, që në kohët e sotme është një gjë e jashtëzakonshme, por do të hapë një perspektivë të jashtëzakonshme për gjithë ato zona atje. Të jashtëzakonshme. Pa llogaritur që ata të cilët do të spostohen nga aty do të marrin shtëpi e të gjitha me radhë. Çfarë ka këtu? Përse duhet me qenë kundër? Duke dëgjuar hienat? Se mos ta prishim dhe këtë bisedë duke futur hienat. Se edhe hienë, edhe ‘non grata’ imagjino tashi. Hiena vetë s’durohet, jo të jetë dhe ‘non grata’, por nuk po i hymë kësaj bisede dhe më falni që e përmenda”, u shpreh Rama.