Bota REPORTAZH/ Rrugët e Parisit bosh, ndërsa Franca po kërkon të bllokojë COVID-19

REPORTAZH/ Rrugët e Parisit bosh, ndërsa Franca po kërkon të bllokojë COVID-19

Rrugët e mrekullueshme të Parisit u zbrazën sot pasdite pasi një bllokim kombëtar për ngadalësimin e përhapjes së një koronavirusi që lindi nga Kina, vetëm disa muaj më parë, hyri në fuqi.

Në orët e fundit para se kufizimet të hynin fuqi, në mesditë (1100 GMT), u krijuan radhë të gjata jashtë supermarketeve, dyqaneve, kasapëve dhe farmacive.

Shumica e atyre që prisnin mbanin të paktën një metër largësi nga blerësit e tjerë për të shmangur përhapjen e infeksionit.

Autobusët e qytetit u kalonin pranë, bosh ose me vetëm me një grusht udhëtarësh.

Por, disa orë më vonë, radhët ishin zhdukur dhe stafet brenda supermarketeve ishin pa punë.

Rrugët turistike rreth Lagjes Latine u braktisën. Në zonën më të banuar të kryeqytetit kishte akoma kalimtarë, por shumë më pak.

Shefi i policisë së Parisit, Didier Lallement i tha shtypit se po ngriheshin 150 pika kontrolli në të gjithë qytetin dhe periferitë e brendshme për të kontrolluar që dikush në rrugë kishte një deklaratë të nënshkruar të detyrueshme që ishin jashtë shtëpive të tyre për një arsye të miratuar.

“Ata që nuk respektojnë masat do të gjobiten”, tha Lallement.

Web Faqja e internetit e Ministrisë së Brendshme, ku mund të shkarkohet formulari i deklaratës ishte vazhdimisht e paarritshme gjatë mëngjesit, me sa duket për shkak të kërkesës së madhe.

Masat vijnë pasi infeksionet dhe vdekjet vazhdojnë të rriten në Francë, me më shumë se 1 000 raste të reja të konfirmuara deri të hënën në mbrëmje.

Totali 6 633 raste dhe 148 vdekje.

“Ne jemi në luftë”, i tha Macron kombit në një fjalim televiziv dje duke njoftuar bllokimin.

Tani qytetarëve u lejohet të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për nevoja pune që nuk mund të kryhen nga distanca, blerjen e gjërave themelore, nevojave shëndetësore ose kujdesjen për fëmijët ose të afërmit që janë delikatë nga ana shëndetësore.

Daljet e shkurtra afër shtëpisë për ushtrime individuale ose për të lejuar kafshët shtëpiake të kryejnë nevojat e tyre gjithashtu lejohen.

“Shpëtoni jetët – Qëndroni në shtëpi”, postoi Macron në llogarinë e tij në Twitter.

Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner ka thënë se 100 000 policë dhe xhandarë do të vendosen për të zbatuar ndalimin e lëvizjeve dhe shkelësit do t’i nënshtrohen një gjobe në moment prej 38 eurosh (42 dollarë) që mund të rritet në 135 euro.

Me shumë biznese të detyruara për t’u mbyllur, ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire tha se qeveria po vinte në dispozicion 45 miliardë euro (50,2 miliardë dollarë) në ndihmë të menjëhershme për kompanitë dhe punëtorët.

Le Maire i tha radios RTL se parashikon një zvogëlim me 1% të ekonomisë për vitin 2020.

“Kjo është një ndihmë e parë e menjëhershme ekonomike”, tha Le Maire.

“Por, që të gjithë duhet të kuptojnë se ndërsa ka një luftë kundër virusit, ekziston gjithashtu një luftë ekonomike dhe financiare”, theksoi ai.

“Do të ketë një tronditje të dhunshme”, paralajmëroi ai.

“Por, ne kemi… çdo aftësi për të rimarrë veten nëse marrim vendimet e duhura tani”, shtoi Le Maire.

Indeksi kryesor CAC 40 në tregun e aksioneve të Parisit rimori terren sot duke mbyllur me 2,84 në 3,991.78 pasi të hënën u përball me një katastrofë.

Prodhuesi europian i avionëve ‘’Airbus’’ ndërkohë tha se po ndalonte prodhimin në Francë dhe Spanjë për katër ditë për të zbatuar kushte të rrepta të higjenës, si kundërpërgjigje ndaj virusit.