Bota Rishfaqet Deripaska, dhe kritikon haptazi Putin: Rusia mund të mos ketë më...

Rishfaqet Deripaska, dhe kritikon haptazi Putin: Rusia mund të mos ketë më para vitin e ardhshëm

Oleg Deripaska, një nga sipërmarrësit më të njohur dhe të pasur të Rusisë, gjithmonë është cilësuar si një nga oligarkët më të afërt me presidentin rus Vladimir Putin.

Por nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, pozicioni i tij duket gjithmonë e më kritik, duke e cilësuar publikisht si një gabim tragjik në qershorin e vitit të kaluar.

Dje, në forumin ekonomik që po ndodh në Krasnoyarsk të Rusisë, “mbreti i aluminit”, cili ka interesa në dhjetëra sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse dhe botërore, mbajti një fjalim në kundërshtim me entuziazmin e pjesëmarrësve të tjerë për situatën e ekonomisë ruse.

“Duke filluar nga viti tjetër, nuk do të kemi më para. Rusia mund të shterojë fondet e saj, që po pakësohen dukshëm. Sanksionet po na godasin gjithmonë e më shumë. Kemi nevojë për investitorët e huaj, ne mendonim se ishim një vend perëndimor, por tani edhe për 25 vjet të tjera do detyrohemi të mendojmë për të kaluarën tonë aziatike. Më parë shisnim me dollarë dhe euro, tani po shesim me yuanin kinez.

Ai nuk kursen drejtpërdrejt qasjen e Kremlinit, “Kapitalizmi shtetëror është në një qorrsokak. Shoh me terror resurset e shpenzuara gjatë këtij viti, të shkojmë drejt socializmit nuk shërben, i kemi përjetuar njëherë këto kimera”.

Nuk është hera e parë që Deripaska del jashtë shinave dhe më pas falet nga lideri i Kremlinit, aq sa shumë analistë mendojnë se në fakt mesazhet e tij mund të jenë shprehje sekrete e vetë ”carit” Putin.

Deripaska është përmendur së fundmi edhe në politikën shqiptare, si një nga personazhet e çështjes McGonigal, në rolin e financuesit të ish-zyrtarit të lartë të FBI.