Bota Rusët po vrasin edhe civilë, Zelensky: Ne dhe Zoti nuk do ta...

Rusët po vrasin edhe civilë, Zelensky: Ne dhe Zoti nuk do ta falim

Rusia ka intensifikuar gjatë natës bombardimet në rajonin e Kievit, dhe qytete të tjera, ndërsa ushtria e Ukrainës pohon se Moska po grumbullon forcat për të nisur sulmin në kryeqytet. Sipas autoriteteve lokale, situata në qytezat e Bucha, Hostomel dhe Irpin, pranë Kievit, është katastrofike.

Në Irpin, që gjendet në periferinë perëndimore të kryeqytetit trupat ruse po avancojnë me tanke dhe njësi këmbësorie për të mbërritur në Kiev. Predhat ruse goditën një pike kalimi për evakuimin e civilëve në Irpin, duke vrarë një familje me dy fëmijë dhe disa civilë të tjerë që përpiqeshin t’i shpëtonin pushtuesve. Në fshatin e vogël të Markhalivka, 24 km larg Kievit, një familje prej anëtarësh përfshirë vajzën 12-vjeçare u shuan nga bombat ruse që goditën banesën e tyre.

Në një mesazh të fortë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po planifikonte vrasjen e qëllimshme të qytetarëve, dhe tha se nuk do të ketë falje po ditë gjykimi. “Ne nuk do të falim për shtëpitë e shkatërruara. Nuk do të falim për qindra raketat që po godasin tokën tonë që po vrasin fëmijët tanë. Po shkatërrojnë infrastrukturën. Ne nuk do të falim për qindra viktimat, e mijëra të tjerë që po vuajnë. Zoti nuk do të falë, as sot e as nesër. Në vend të faljes do të ketë një ditë gjykimi”, tha ai.

Siç mësohet forcat ruse kanë vrarë me armë zjarri edhe kryebashkiakun e Hostomel, pranë Kievit, Yuriy Prilipko. Ai u vu në shënjestër teksa shpërndante ushqim dhe ilaçe për civilët. Të paktën 8 civilë raportohen të kenë humbur jetën si pasojë e sulmeve në zonat e banuara të Kharkiv gjatë 24 orëve të fundit.

Raportime për luftime të ashpra vijnë edhe nga qyteti i Mykolaiv pranë detit të zi në Ukrainën jugore. Forcat ruse bombarduan qytetin me artileri mëngjesin e së hënës, e po ashtu një zonë e rajonit të Odesës është goditur nga një sulm me predhë.

Sipas autoriteteve amerikane, Rusia ka lëshuar një total prej 600 raketash që kur nisi sulmin në Ukrainë, ndërsa vlerësohet se 95 për qind e trupave të grumbulluar në kufi janë tani brenda vendit. Sipas organizatës së kombeve të bashkuara mbi 360 civilë janë vrarë deri më tani në luftime, por bilanci real besohet të jetë shumë më i lartë.