Bota SHBA “dritë jeshile” Polonisë për t’i dhënë Ukrainës avionë MiG

SHBA “dritë jeshile” Polonisë për t’i dhënë Ukrainës avionë MiG

Plani i Polonisë për të dërguar avionë luftarakë në Ukrainë ka marrë dritën jeshile nga SHBA, pavarësisht paralajmërimit të Rusisë se çdo vend që ndihmon Kievin me forcë ushtarake ajrore mund të përfshihet në konfliktin e armatosur.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka deklaruar se SHBA janë në bisedime me Poloninë për të arritur një marrëveshje që do të lejojë avionët luftarakë polakë që të drejtohen nga pilotë ukrainas për t’u përballur me superioritetin e Rusisë në ajër.

Me këtë marrëveshje, Ukraina mund të marrë 28 avionë nga Polonia të modelit MiG-29, të prodhuar në Rusi. Më pas, Polonia do të përfitojë nga SHBA avionë të rinj F-16.

Shtëpia e Bardhë është duke punuar për realizimin e kësaj marrëveshjeje që mund t’i japë një ndihmë të madhe Ukrainës.

“Ka një numër sfidash, përfshirë mënyrën se si do të transferohen avionët nga Polonia në Ukrainë. Po punojmë mbi mundësinë për të ndihmuar Poloninë nëse vendos të transferojë avionët në Ukrainë”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për “Financial Times”.

Një zhvillim i tillë vjen në një kohë kur Ministria ruse e Mbrojtjes ka paralajmëruar vendet, përfshirë anëtaren e NATO-s Rumaninë, që të mos i ofrojë Kievit mjete luftarake ajrore pasi do të përfshihej direkt në konflikt.

Zëdhënësi i ministrisë ruse ka bërë me dije se disa avionë ukrainas janë ulur në Rumani dhe në disa vende të tjera fqinje, pa i përmendur me emra.

Sipas tij, nëse këto aeroplanë luftarakë sulmojnë forcat ruse nga territoret e këtyre vendeve, atëherë kjo mund të konsiderohet përfshirje në luftë.