Kryesore Shembja e Teatrit dhe shitblerja e votës, çfarë u diskutua në PE...

Shembja e Teatrit dhe shitblerja e votës, çfarë u diskutua në PE për Shqipërinë

Teatri Kombëtar, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi kanë qenë kryefjala e diskutimeve për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor shprehu shqetësime sa i përket shembjes së Teatrit Kombëtar.

Për Calaverën duhet të ruhet trashëgimia kulturore në Shqipëri, ndërsa gjithashtu duhet që edhe të zbatohen procedurat ligjore.

“Na vjen keq për atë akt dhe kërkuam që të kishte dialog. Ne vijojmë të bëjmë thirrje se duhet të ruhet trashëgimia kulturore por gjithashtu duhet edhe të zbatohet ligji. Shqipëria duhet të avancojë edhe më tej në dialogun për të vijuar përpara me reformën zgjedhore”, tha Calavera.

Ajo ka theksuar edhe një herë se qëndrimi i delegacionit të BE-së në Tiranë, është zëri zyrtar i institucioneve europiane.

Reforma në drejtësi ishte pika tjetër në të cilën u ndal Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se pavarësisht disa ngadalësimeve, ajo duhet të shkojë përpara.

Po sa i përket Teatrit, Përfaqësuesja e Komisionit Angelina Eichorst u shpreh se i është kërkuar autoriteteve shqiptare të hetohen autorët për përdorimin e forcës dhe ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve.

Ndërsa eurodeputetja kroate, Željana Zovko u shpreh: Dua ti rikthehem çështjes së Teatrit Kombëtar që ka krijuar shumë shqetësime në botën e kulturës dhe gjithashtu në media. Kemi marrë shumë letra nga qytetarë të shqetësuar. Do të doja të dija se çfarë informacioni kanë marrë nga shoqëria civile dhe a ka pasur bisedime përpara se të ndodhte kjo shembje? Cilat janë planet e së ardhmes për ndërtimet në këtë zonë duke marrë parasysh që Shqipëria merr fonde nga BE, ka marrë dhe fonde për rindërtimin nga tërmeti.

Një tjetër reagim ka ardhur nga David McAllister, i cili u ndal dhe te shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

“Një pjesë e mirë e jona këtu në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, u shqetësua nga metoda e përdorur në prishjen e Teatrit Kombëtar në 17 maj. Kjo u kritikua si shkatërrim i trashëgimisë europiane, duke i dhënë një goditje tjetër dialogut dhe kompromisit mes palëve. Ne ripërsërisim thirrjen tonë që palët politike të punojnë bashkë dhe të lenë pas metodat e bojkotit për të forcuar rrugën e vendit në Bashkimin Europian”, tha McAllister.

Në diskutim e tij reporteri për Shqipërinë, David Lega, vlerësoi qëndrimin e Presidentit Meta në mbrojtje të Kushtetutës, ndërsa shtoi se Shqipëria është në rrugën e çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, por ende priten rezultate konkrete për realizimin e reformave kyçe.

Kërkesa e përsëritur e eurodeputetëve ishte për plotësimin e 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku jashtë vëmendjes nuk mbeti edhe fenomeni i vjedhjes së votës.

Dosja “184” dhe dosja “339” u sollën në vëmendje për të treguar se zyrtarë të lartë duhet të dalin përpara drejtësisë.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe hetimi i kujtdo që është përfshirë në shitblerjen e votave janë 2 nga 15 kushtet e BE që Shqipëria duhet të përmbushë përpara nisjes së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit,”– tha eurodeputeti Gahler.

Eurodeputeti Gahler përkundrejt një këndvështrimi dashamirës ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për në BE, kishte edhe një pyetje retorike.

A e dinë shqiptarët se çfarë kërkojmë ne? Dhe për Gahlerin reforma në drejtësi ka një rëndësi thelbësore.