Bota Shkenca në garë me kohën për vaksinën e Covid-19 dhe një “luftë”...

Shkenca në garë me kohën për vaksinën e Covid-19 dhe një “luftë” e re SHBA-Europë

Në një kohë kur epidemia e koronavirusit ka mbyllur në shtëpi shumicën e popullsisë së Europës, në Kinë, aty ku nisi gjithçka, pritet të nisin testet klinike për vaksinën e parë. Qeveria kineze ka aprovuar fillimin e testimit klinik të vaksinës së COVID-19, njoftoi sot Televizioni Qendror i Kinës. Faza e paraprake e testimit ka treguar se vaksina është efektive dhe e sigurt. Vaksina është krijuar nga ekipi i Chen Wei, një akademike në Akademinë Ushtarake të Shkencave Mjekësore.

Më 26 janar, Chen Wei dhe ekipi i saj i studiuesve arritën në Vuhan për të analizuar burimin e koronavirusit, për të hulumtuar sëmundjen që ai shkakton dhe për të zhvilluar metoda të trajtimit për të luftuar epideminë.

Në garë me kohën janë edhe studiuesit amerikanë. Të hënën, katër vullnetarë të shëndetshëm u bënë të parët persona, të cilëve iu injektua një vaksinë e ngjashme, e krijuar në kohë rekord. Vaksina u krijua nga një grup ekspertësh të kompanisë farmaceutike “Moderna”, duke përdorur njohuritë e mëparshme për SARS dhe MERS.

Në luftën për të mundur koronavirusin, edhe shkencëtarët europianë po bëjnë betejën e tyre. Një kompani gjermane po zhvillon një vaksinë, për të cilën dy ditë më parë presidenti amerikan kërkoi ekskluzivitetin. CureVac është kompania me bazë në Tübingen dhe filiale në Frankfurt e Berlin, të cilës Trump i kërkoi ta krijonte vaksinën “vetëm për SHBA-të”. Qeveria gjermane ka bërë të ditur se do t’i ofrojë kësaj kompanie mbështetje financiare që të qëndrojë në vendin e saj. Kësaj mbështetjeje iu bashkua edhe Bashkimi Europian, i cili përmes presidentes Ursula von der Leyen tha dje se do të japë një fond prej 80 milionë euro për prodhimin e kësaj vaksine në Europë. Ndërkohë, një javë më parë, themeluesi i kompanisë deklaroi se vaksina eksperimentale do të jetë gati para verës.

Garës për të prodhuar vaksinën që do t’i bëjë të marrin frymë të lehtësuar më shumë se gjysmën e banorëve të globit i është bashkuar edhe BioNTech, kompani biotekologjike, e cila po ashtu e ka bazën në Gjermani.

BioNtech pak ditë më parë njoftoi se ka nisur dy partneritete strategjike për të çuar përpara zhvillimin e një vaksine. Ajo po bashkëpunon me Fosun Pharma për të avancuar në këtë drejtim në Kinë, dhe me Pfizer për të bërë të njëjtën gjë jashtë Kinës. BioNTech duket një konkurrent i fortë në garën për vaksinën e COVID-19, për shkak të platformës së saj të larmishme mRNA (molekula që përdoren për të udhëzuar trupin që të prodhojë përgjigjen e vet imune në luftë me sëmundjet), informacionit dhe kapacitetit prodhues. / Përgatiti: Gazmira Sokoli/TvT