Ekonomi Shqipëria del nga lista gri e pastrimit të parave, Balluku tregon efektet...

Shqipëria del nga lista gri e pastrimit të parave, Balluku tregon efektet pozitive që sjell për ekonominë

Shqipëria ka dalë nga lista gri e FATF (Financial Action Task Force). Lajmin e dha zv/kryeministrja Belinda Balluku.

“Angazhimi i qeverisë Shqiptare, puna për përmbushjen e reformave, reformimi i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në një Agjenci Inteligjence Financiare, investimi në ndryshimin thelbësor të ligjeve dhe dixhitalizimit të proceseve, kanë qenë të gjitha hapa që janë vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar dhe anëtarët e FATF që sot zhvilloi seancën e saj plenare duke marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, njëri prej të cilëve është një gur kilometrik për Shqipërinë, dalja e saj nga lista gri”, shkruan Balluku në një postim në rrjetet sociale.

Sipas zv/kryeministres, ky vendim sjell padyshim forcimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, krijimin e kushteve të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, uljen e kostove të borxhit kombëtar, konsolidimin e shkëmbimeve tregtare dhe të shërbimeve dhe një sërë benefitesh të tjera të cilat rrjedhin nga ky pozicion i ri i Shqipërisë.

“Lufta për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit është dhe ka qenë në fokus të punës së Qeverisë Shqiptare dhe do të mbetet një nga angazhimet kryesore të saj në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik”, shprehet më tej Balluku.

Lajmin e komentoi edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili tha se ky është një lajm i mirë jo vetëm për sistemin financiar bankar, por për të gjithë ekonominë shqiptare, pasi sipas Sejkos, do të pasqyrohet jo vetëm në klimën e biznesit, por edhe në aftësinë e sistemit financiar për të mbështetur me investime dhe financime biznesin.

“Shpreh kënaqësinë time për lajmin shumë të mirë që sapo morëm për daljen e Shqipërisë nga lista gri, për të ritheksuar gjithashtu në emër të Bankës së Shqipërisë, punën e madhe të bërë në këtë drejtim nga të gjitha institucione rregullatore, ligjzbatuese. Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv, lidhur me vijimin e ecurisë së mirë të sistemit financiar, bankar, por edhe të gjithë ekonomisë shqiptare, pasi do të pasqyrohet jo vetëm në klimën e biznesit, por edhe në aftësinë e sistemit financiar për të mbështetur me investime dhe financime bizneset e vogla, të mëdha dhe të mesme. Ne do të vazhdojmë punën në monitorimin dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të institucioneve që janë nën përgjegjësinë tonë për të mbajtur të garantuar sigurinë, luftën kundër parandalimit të pastrimit të parave”.