Bota Situatë më e qetë në Francë, Macron mbledh sot krerët e institucioneve 

Situatë më e qetë në Francë, Macron mbledh sot krerët e institucioneve 

Pas 5 netësh trazirash të dhunshme situata ka qenë shumë më e qetë në natën mes 2-3 korrikut, ku shumë qytete të vendit ishin skena e dhunës dhe plaçkitjeve. Mediat franceze bëjnë të ditur se në qytetet kryesore të vendit, një pajisje e rëndësishme sigurie u vendos natën e së dielës në të hënë, e gjashta që nga vdekja e Nahelit, nga një polic në Nanterre dhe që shkaktoi një valë të madhe zemërimi dhe trazirash dhe dhune. Por duket se janë dëgjuar thirrjet e ndryshme për qetësi, të cilat u shumëfishuan që nga mbrëmja e së premtes.

Në të gjithë vendin janë mobilizuar 45,000 xhandarë dhe policë. Dhe mjetet e blinduara të lehta u vendosën në Marsejë dhe në Lion.

Në orën 1:30 të mëngjesit, policia kishte bërë vetëm 78 arrestime në territorin kombëtar, shumë më pak se netët e mëparshme dhe asnjë incident i madh nuk ishte raportuar.

Të dielën në mbrëmje, presidenti Emmanuel Macron mblodhi anëtarët e qeverisë për një raport të situatës, ndërsa sot do të presë presidentët e Asamblesë Kombëtare dhe Senatit e më pas kryetarët e bashkive.

Ndërsa të afërmit e adoleshentit 17-vjeçar që u vra nga policia në Nanterre në periferi të Parisit i kanë bërë thirrje demostruesve që të ndalin trazirat. Gjyshja e adoleshentit të vrarë nga policia u bëri thirrje të ndalen aktet e dhunës. E identifikuar si Nadia, ajo në një intervistë telefonike në televizionin BFM u shpreh se dhuna duhet të marrë fund. Sipas saj, protestuesit po e përdorin vdekjen e nipit të saj si një justifikim për të kryer akte dhune.

“Po u bëj thirrje protestuesve që të ndalojnë. Naheli ka vdekur. Vajza ime është e shkatërruar, tani ajo nuk ka më jetë”, tha gjyshja e 17-vjeçarit që vdiq pasi u qëllua nga një punonjës policie.

Një tjetër i afërm i 17 vjeçarit ka bërë të njëjtën thirrje.

“Ne nuk kemi kërkuar të thyejmë apo të vjedhim. E gjithë kjo nuk është për Nahelin,” i tha ai BBC-së, duke folur në kushte anonimiteti.

Familjarët kanë kërkuar që Franca tani duhet të ndryshojë ligjin që lejon policët të qëllojnë gjatë kontrolleve, si dhe bën gjithashtu thirrje për trajnim më të mirë për policinë franceze, rregullimin e armëve dhe rishikimin e ligjit që lejon policinë të përdorë forcën nëse një i ri refuzon të ndalojë.