Sport Sormani tregon rivalët e titullit: Çfarë do të ndryshoj te Partizani

Sormani tregon rivalët e titullit: Çfarë do të ndryshoj te Partizani

Partizani është rikthyer në kryeqytet, me bindjen se i ka “karikuar bateritë” më së miri në përgatitoren e Antalias. Goli ka munguar atje, megjithatë trajneri Adolfo Sormani shpreson që ky defekt të mos shfaqet në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Kujtojmë se nesër, të kuqtë do të sfidojnë korçarët në kuadër të javës së 18-të të Superiores. Transferta në “qytetin e serenatave” është e para zyrtare për vitin 2020 në futbollin tonë. Trajneri italian nënvizoi para gazetarëve:

“Gjendja fizike te Partizani? Çdo skuadër, kur ndryshon trajner, do të thotë se diçka nuk ka shkuar mirë. Kam punuar shumë me skuadrën në planin fizik, por jo vetëm, gjatë gjithë këtyre ditëve. Jam ndalur edhe në aspektin psikologjik. Synoj një grup lojtarësh më të harmonizuar, sepse kështu vijnë edhe rezultatet. Rikthimi në këtë pozicion? Sigurisht, ndiej edhe emocionet. Kjo është pjesë e punës sonë. Dua të jem sa më i fokusuar në këtë eksperiencë të dytë te Partizani dhe tepër i kujdesshëm. Objektivi primar është përqendrimi, bashkë me skuadrën, te ndeshja që na pret. Pra, te Skënderbeu”.

Merkatoja e dimrit? “Po bisedoj me drejtorin Rama dhe presidentin Demi. Duke qenë se jemi në kontakt, do të mundohemi t’i përmirësojmë gjërat. Personalisht, dua të punoj me skuadrën që kam, që për mendimin tim është më e mira. Pra, kam detyrën t’i marr maksimumin këtij Partizani. Kush më ka njohur edhe nga eksperienca e parë këtu, e di që asnjëherë nuk flas për individët, por për grupin. Për të fituar duhet të jesh skuadër, ndryshe nuk fiton asgjë. Edhe skuadrat e mëdha nuk po ia dalin të fitojnë me vetëm një lojtar cilësor. E rëndësishme është që të kemi frymën si skuadër.

Nga Partizani pres maksimumin, të ngulmojë gjithmonë për rezultatin pozitiv. Dua një skuadër agresive, të përqendruar, me lojtarë të forte, që e mbështesin njëri-tjetrin pa hezitim. Ideale do të ishte që, pas 90 minutave të lojës, të mos kishim asnjë peng për atë që japim në fushë. Dështimet e trajnerëve të huaj te Partizani? Kjo nuk më intereson. Jam këtu për të punuar e dhënë më të mirën. Pra, në profesion njoh vetëm punën, këtë do t’ua kërkoj edhe lojtarëve. Ju garantoj që do të kemi një skuadër me shpirt”.

Rivalët?Kukësi është rivali ynë, ashtu sikurse Tirana. Këtë prognozë kam për momentin, por gara do t’i qartësojë më mirë gjërat. Parashikimet në futboll janë gjëja më e vështirë”.

Krahasimi mes dy Partizanëve të mi? “Janë dy skuadra të ndryshme. Mund të them se skuadra aktuale ka lojtarë më të fortë. Është një grup i mirë, por me shumë mundësi për t’u rritur akoma. Partizani aktual ka lojtarët më të mire, edhe pse i respektoj të gjitha skuadrat e tjera. Nesër mund të kemi ndonjë mungesë, por nuk do përbejë problem. Kemi lojtarë të tjerë, që i zëvendësojnë”.

Çfarë pres ndaj Skënderbeut? “Unë nuk e përgatis kurrë skuadrën, që të hyjë në fushë me mendje tjetër, veç marrjes së fitores. I respektoj të gjithë kundërshtarët, i quaj krejt të barabartë, por ne kemi objektiva të qartë”.

Moduli im i preferuar? “Lojtarët do t’i përcaktojnë skemat me atë që do të tregojnë në fushë. Ata duhet të japin maksimumin aty ku i vendos trajneri, nuk do të kem një skemë fikse. Më intereson një skuadër agresive dhe që luan shpejt”.

Pozicioni i Trashit? “Ka bërë mjaft mirë edhe si mbrojtës i majtë. Për të, nuk përbën problem që ta ndryshojë atë pozicion. Po tregon formë shumë të mirë dhe mund të na ndihmojë shumë, atje ku kemi nevojë. Objektivi? Për sa kohë jemi kampionë, duhet të vazhdojmë të fitojmë. Kush vjen te Partizani duhet t’i dijë mirë objektivat. Të gjithë duhet të ecim në të njëjtën rrugë, për ta mbrojtur statusin që kemi aktualisht. Pra, duam të rikonfirmohemi si kampionë të Shqipërisë”.