Sport Suarez edhe më pranë Juves, por i duhet… italishtja

Suarez edhe më pranë Juves, por i duhet… italishtja

Marrëveshja personale me Juven është arritur (kontratë dyvjeçare për 10 milionë euro neto në sezon), por Barcelona duhet të thotë fjalën e fundit. Luis Suarez është i lidhur me katalanët deri në qershor 2021 dhe për të veshur fanellën bardhezi duhet, së pari, të zgjidhë marrëdhënien e tij me “blaugranat”. Tashmë jashtë planeve të Koemanit, sulmuesi uruguaian po punon për t’u liruar nga klubi me konsensus.

Sipas medieve në Spanjë, Juventusi do të ishte i gatshëm të paguante një shumë të caktuar për kartonin e lojtarit për të zhbllokuar marrëveshjen. Ndërkohë, këtë të hënë, Suarez do të fillojë procesin burokratik për të marrë pasaportën italiane, e nevojshme për të luajtur në Serinë A si komunitar. 33-vjeçari po përgatitet për të dhënë provimin e italishtes, që kërkohet me ligj nëse dëshiron të marrësh nënshtetësinë e këtij vendi.

Në Uruguai sigurojnë që testi do të zhvillohet në konsullatën italiane në Barcelonë. Provimi do të jepet brenda kësaj jave.

Bashkëshortja e Suarezit është me origjinë italiane dhe e ka tashmë pasaportën. Të gjitha veprimet (pas testit të gjuhës është e nevojshme të plotësohen formalitetet për të marrë dokumentin) kërkojnë akoma të paktën dy javë kohë, në rastin më të mirë. Kjo është arsyeja pse uruguaiani duhet të ngutet, sepse Pirlo duhet ta njohë në detaje skuadrën sa më shpejt. Juvja, në fakt, po lëviz në disa fronte. Pa lënë pas dore pistën “Dzeko”, ditët e fundit kanë nisur kontaktet me Moratan si dhe po studiohet situata e Cavanit. Objektivi parësor, gjithsesi, mbetet Luis Suarez.