Politika Talat Xhaferi zgjidhet sërish kryetar Parlamenti në Maqedoninë e Veriut

Talat Xhaferi zgjidhet sërish kryetar Parlamenti në Maqedoninë e Veriut

Talat Xhaferi është zgjedhur sërish Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut edhe për një tjetër legjislaturë. Votimi në Parlament pas zgjedhjeve të 15 korrikut, është bërë pas marrëveshjes mes BDI-së dhe LSDM-së për formimin e koalicionit qeverisës.

Miratimi i kandidaturës së Xhaferit është bërë me 62 vota pro dhe 43 kundër. Kryetari i Parlamentit në Maqedoninë e Veriut zgjidhet me shumicë votash nga 120 deputetë që ka në përbërje.

Kandidatura e Xhaferit duket se ka marrë të gjitha votat e koalicionit të mazhorancës pasi pjesë e saj do të jetë edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, koalicioni mes LSDM dhe BESA siguroi 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E majta dy dhe PDSH-ja 1. Pas votimit të Xhaferit si kryeparlamentar, tanimë i hapet rruga votimit të qeverisë së re që do të sjellin për miratim LSDM-BDI.