Kryesore “Trump nuk do ta pranojë rezultatin”, çfarë po ndodh brenda Shtëpisë së...

“Trump nuk do ta pranojë rezultatin”, çfarë po ndodh brenda Shtëpisë së Bardhë

Kur numërimi nuk ka përfunduar ende në SHBA dhe sipas projeksioneve Joe Biden duket se do të jetë Presidenti i ri i Amerikës, kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump për momentin nuk ka ndërmend që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.

Një burim pranë Donald Trump i ka thënë Fox News se këshilltarët e Presidentit po japin mendime të ndryshme. Disa prej tyre e këshillojnë Trumpin që pranimi i rezultatit është gjëja e duhur për të bërë. Ndërsa disa të tjerë e shtyjnë që të vazhdojë betejën ligjore për të marrë sa më shumë vota.

Duke iu referuar burimit konfidencial, Fox News raporton se Presidenti Trump në këtë moment është “skeptik”.

“Ai e paralajmëroi këtë situatë për muaj me radhë. Media nuk e mori seriozisht dhe tani ndodhemi përpara këtij skenari”, thotë burimi i Fox News.

“Në fund të fundit Presidenti mund ta pranojë rezultatin, por momentalisht nuk do ta bëjë”, vijon burimi.

Ndërkohë, këshilltari i përgjithshëm i fushatës së Trump, Matt Morgan ka thënë se zgjedhjet nuk kanë përfunduar ende.

“Projeksioni i rremë për Joe Biden si fitues bazohet në rezultatet e 4 shteteve që janë ende larg përfundimit të numërimit. Në Xhorxhia do të rinumërohen votat dhe kemi besim se do të gjenden fletëvotimet e pasakta dhe në fund do të mbizotërojë Presidenti Trump”, deklaroi Morgan.

Ai vijoi duke thënë se edhe në Pensilvani kishte shumë parregullsi. Ekipi i Donald Trump ka ngritur padi në disa shtete për parregullsi në procesin zgjedhor.