Kryesore Trump u shtrua në spital, por valixhja e “fundit të botës” nuk...

Trump u shtrua në spital, por valixhja e “fundit të botës” nuk i ndahet

“Topi bërthamor”, valixhja që përmban kodet e bombave bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u ngarkua në helikopterin Marine One bashkë me presidentit Donald Turmp, ndërsa ai u nis për në spitalin ushtarak ku po trajtohet pas diagnostikimit me koronavirus.

Udhëheqësi i Perëndimit nuk shkon askund pa valixhen në fjalë, që zyrtarisht quhet Çanta Presidenciale e Urgjencave, dhe një ndihmës ushtarak, në mënyrë që të mund të lëshojë bombat bërthamore ngado që të jetë.

Edhe diagnoza me koronavirus nuk mjafton për të ndërprerë këtë procedurë, e cila u vu në zbatim për herë të parë në vitin 1962, pas krizës kubane të predhave, në kohën kur president ishte John Kennedy.

Në total, ekzistojnë 3 çanta të tilla, një e mban presidenti, një zëvendëspresidenti dhe një tjetër qëndron në Shtëpinë e Bardhë. Ushtarakët që e kanë të lidhur pas dorës së tyre janë të detyruar të qëllojnë me armë këdo që përpiqet t’ua marrë valixhen.

SHBA ngre në fluturim avionët e “fundit të botës”

Ngjarja ndodhi pasi dy avionë ushtarakë me armatime bërthamore u panë të fluturonin në të dy brigjet amerikane, në ditën që Trump doli pozitiv në testin për Covid-19. Një avion Boeing E-6B Mercury u pa të fluturonte në bregun lindor pranë kryeqytetit, ndërsa tjetri në anën tjetër të vendit, në Oregon. Nuk munguan teoritë sipas të cilave fluturimet u organizuan për të paralajmëruar kundërshtarët që, pavarësisht presidentit të sëmurë, Shtetet e Bashkuara mbeten të forta, por burime ushtarake thanë se kjo ishte një rastësi, pasi fluturimet ishin programuar kohë më parë.

SHBA ka 16 avionë me sisteme komunikimi të sofistikuara dhe aftësinë për të lëshuar me saktësi të madhe raketa bërthamore, por nuk ka ndodhur ndonjëherë që dy prej tyre të ngrihen në fluturim njëkohësisht.

Megjithatë, zëdhënës të ushtrisë amerikane mohuan se dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ata thanë se gjithçka ishte rastësi dhe stërvitja e ushtruar ishte planifikuar muaj më parë.

“Mund t’ju siguroj se këto fluturime ishin planifikuar”, deklaroi zëdhënësja e Komandës së Operacioneve Strategjike në ushtrinë amerikane.

Avionët në fjalë janë projektuar për të shërbyer si shtab komande për nëndetëset bërthamore, me të cilat komunikojnë përmes një teknologjie të avancuar.

Në skenarin e një lufte bërthamore ata shërbejnë si udhërrëfyes për bazat bërthamore në tokën amerikane, ose nëndetëset bërthamore që të godasin në shenjë objektivat e tyre.