Aktualitet Vdekja e 31-vjeçarit në Komisariatin e Kavajës, Berisha: Kërkoj dorëheqjen e ministrit...

Vdekja e 31-vjeçarit në Komisariatin e Kavajës, Berisha: Kërkoj dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Çuçi

Ish-Kryeministri Sali Berisha kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi pas vdekjes së 31-vjeçarit Ilvi Meta brenda komisariatit të Kavajës.

Në një konferencë shtypi me gazetarët, Berisha bëri thirrje gjithashtu që të shtunën të zhvillohet një protestë e heshtur paqësore me parrullën “Stop Vrasjeve në Komisariate”.

“Ministri i familjes, që në vend që të merret me zbatimin e ligjit, është gardian i interesave kriminale të klanit Rama, drejtori i Përgjithshëm i Policisë heshti sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo është dhe më kriminale. Heshti në një kohë kur në një hark kohor 5-javor dy të rinj u vdiqën në qelitë e komisariatit të policisë ku duhet të ishin më të sigurtë se në çdo vend tjetër. Duke dënuar këtë qëndrim çnjerëzor të Edi Ramës, ministrit të tij familjar Çuçi, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Nano, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Çuçi. Ndërkohë do t’i propozoj sot Komisionit të Rithemelimit që nesër në orën 08:00 pranë të gjithë komisariateve të Shqipërisë të ndizen qirinj në një protestë të heshtur paqësore Stop Vrasjeve në Komisariate”, tha Sali Berisha.