Kryesore Vettingu i politikanëve, Rama-Bashës: E votojmë nëse është shpëtimtare për vendin, jemi...

Vettingu i politikanëve, Rama-Bashës: E votojmë nëse është shpëtimtare për vendin, jemi kundër nëse mban era foltore

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje direkt kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha, për Vettingun në politikë. Rama i tha se është i gatshëm ta votojë nismën nëse ajo është  për të mirën e vendit, por nëse mban “era foltore” mazhoranca është kundër.

“Unë i qëndroj atij parimi që kam thënë “hajde ta diskutojmë” siç meriton të diskutohet me ekspertët e të dyja palëve, ku doni me dalë me çfarë doni ta bëni, çfarë thonë partnerët tanë për këtë punë, çfarë thonë institucionet etj. Nëse ne na del që kjo nismë është shpëtimtare për vendin, patjetër që do ta votojmë. Nëse rezulton se është një komardare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë në formë peshkaqeni atëherë ne do themi Lulzim vazhdo vëlla që të bësh rolin e peshkaqenit të gomës që të ngrohesh nga peshkaqeni i foltores. S’është puna jonë kjo.

Ta ndajmë këtë, e shohim e diskutojmë, patjetër. Çdo gjë që i shërben interesit të përbashkët të vendit ne na keni pro. Çdo gjë që mban pastaj era foltore, ne na keni kundër”, tha Rama.

Rama, në replikën e tij të zgjatur me Bashën, kësaj radhe për inceneratorët, u shpreh se është i bindur që “me ndërtimin e inceneratorëve është bërë hap i madh përpara për ta pasur Shqipërinë një vend të pastër, por patjetër që ato investime janë bërë pikërisht për të mos lejuar që të vazhdojë të ushqehet kanceri që latë ju kudo në vend, pranë lumenjve e tokave”.

“Bashkitë sot kanë në dispozicion inceneratorët ose landfillet e investuara dhe që sigurisht që janë të detyruara që mbetjet t’i çojnë atje, që të mbyllet historia e helmit në mjedis dhe historia e abuzimit me sasitë e mbetjeve. Ti e di shumë mirë këtë sepse je marrë me Sharrën për një kohë të gjatë. Prandaj, përqendrohu kur flet”, deklaroi kryeministri.

Rama i kujtoi Bashës edhe fjalën “llum”: “Më flet mua për llum tranzicioni dhe tani thua që edhe PD-ja ka pjesën e vet të llumit. Unë këtë fjalë nuk e kam përdorur as për PD-në, sepse është fjalë e madhe, por nëse PD-ja ka llum, ajo pjesë e llumit të ka nxjerrë ty. Ti je pjesa më e brilantinosur e atij llumi”.

“Të lutem, mos na ço gjuhën aty ku të dhemb dhëmbi ty. Kur thua ti që dua apo nuk dua, do të të kem përballë ty, të them se unë pikërisht ty të dua përballë. Të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë. E kam seriozisht, sepse dua që të ngremë nivelin këtu. Sepse ti vjen këtu duke lexuar abetaren që të ka mësuar llumi. Mos ji karikatura e llumit. Ti duhet të provosh se megjithëse ai llum të nxori në krye, ti duhet të jesh diçka tjetër sot, duhet të rilindësh. Ndërvepro këtu me gjuhën e fakteve. Nuk ka nevojë as të shpifësh, as të akuzosh dhe as të kriminalizosh dynjanë me fakte. Kjo është opozita”, u shpreh Rama.