Bota Virusi kinez shkakton 17 viktima, izolohen dy qytete me 19 milionë banorë

Virusi kinez shkakton 17 viktima, izolohen dy qytete me 19 milionë banorë

Dy qytete kineze me 19 milionë banorë janë izoluar në përpjekjen për parandalimin e përhapjes së virusit, epiqendra e epidemisë, Wuhani dhe Huanggang ku sipas Reuters janë raportuar 12 raste.

Fluturimet dhe shërbimet e transportit publik u pezulluan fillimisht në qytetin me 11 milionë banorë të Wuhan, ku po mbretëron ankthi.  Në mungesë të ushqimeve dhe në pamundësi të lëvizjes qytetarët po përjetojnë ndjesinë e fundit të botës.

Koronavirusi i rrallë ka shkaktuar të paktën 17 viktima, ka infektuar mbi 600 vetë dhe është përhapur edhe në Tajlandë, Korenë e Jugut, Japoni e Tajvan dhe gjithashtu në SHBA, ku është identifikuar një rast. Qytetet izolohen, ndërsa miliona njerëz udhëtojnë rreth vendit me rastin e vitit të ri kinez. Raftet nëpër supermarkete u zbrazën menjëherë ndërsa qytetarët u dyndën për blerjen e produkteve të nevojshme.

Pamje dramatike kanë dalë në rrjetet sociale nga brenda qytetit të parë të izoluar, Wuhan, ku banorët përleshen për ushqime, që po rrallohen gjithnjë e më shumë. Shkencëtarët e OBSH mendojnë se nga një person virusi mund të përhapet në 600 të tjerë me lehtësi.

Shumë po ankohen në rrjetet sociale për rritjen e çmimeve. Në atraksionet turistike dhe hotele do të shmangen grumbullimet ndërsa libraritë, muzetë dhe teatrot kanë anuluar ekspozitat e shfaqjet. Komisioni kombëtar i Shëndetësisë tha të enjten se viktimat e virusit ishin nga 48 në 89 vjeç, shumica e të cilëve vuanin edhe nga sëmundjet e tjera kronike.

Virusi u shfaq fillimisht në një treg peshku dhe të gjësë së gjallë dhe sipas disa studiueseve mund ta ketë zanafillën nga gjarpërinjtë.

Ndërsa autoritetet në Pekin kanë anuluar festimet madhështore të Vitit të Ri kinez në një përpjekje të radhës për të mbajtur sa më të izoluar koronavirusin që po përhapet me shpejtësi në vend.

Festimet, që zakonisht në Pekin shoqërohen me fishekzjarrë spektakolarë dhe ngjarje të tjera argëtuese, tërheqin milionë banorë, por duket se frika për përhapjen e virusit vdekjeprurës që deri tani i ka marrë jetën 17 personave ka detyruar shtetin të marrë vendimin drastik.

Masa po merren edhe në Singapor dhe shtete të tjera aziatike, por edhe në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, ku është konfirmuar një rast i prekur. Ndërkohë një infermiere indiane në Arabinë Saudite është diagnostikuar me virusin, duke e zgjeruar edhe më shumë hartën e të infektuarve.