Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani nuk i ka dhënë fjalën kryeministrit Avdullah Hoti në seancën e sotme të Kuvendit.
Me të përfunduar fjalën shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, kryeministri Hoti ngre dorën për të marrë fjalën, por kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani fjalën ia kalon deputetes së LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Kosova Press raporton se as më vonë fjala nuk i ka kaluar kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti.
Ditën e djeshme Kuvendi i Kosovës votoi me 61 vota qeverinë e re të kryesuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike e Kosovës.
Mustafa kritikon Osmanin: Veprim i papërgjegjshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, reagoi ashpër ndaj Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit kundërshtoi dje qeverinë e re të drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.
Në një postim në profilin zyrtar në Facebook, ai shkruan se bojkotimi i saj nuk ndaloi votimin e ekzekutivit të ri.
“Iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i paprecedentë dhe i papërgjegjshëm”, deklaroi Mustafa.
Megjithatë Mustafa nuk njoftoi ndonjë masë të mundshme kundër Osmanit, e cila në zgjedhjet e fundit, ishte kandidate për kryeministre e LDK-së.
Ai kritikoi Albin Kurtin, për mos pjesëmarrjen në ceremoninë e dorëzimit të detyrës duke i konsideruar deklaratat e fundit të kreut të Vetëvendosjes si të ulëta dhe të pasakta.
“Pamja e mëngjesit të sotëm e kryeministrit Hoti, në ceremoninë e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij”, vijoi lideri i LDK-së.
Ndërkohë, Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë qeverinë e Hotit duke theksuar se është e paligjshme dhe kërkon zgjedhje të reja. Për këtë po organizon një peticion dhe ka grumbulluar mbi 25 mijë nënshkrime në dy ditë.