Aktualitet Vrau vajzën 16-vjeçare e fqinjin, plagosi edhe gruan, gjykata italiane mohon kërkesat...

Vrau vajzën 16-vjeçare e fqinjin, plagosi edhe gruan, gjykata italiane mohon kërkesat e Taulant Malajt

Ka nisur në Itali procesi gjyqësor ndaj Taulant Malajt, shqiptarit që vrau vajzën e tij 16-vjeçare Jessica, fqinjin Massimo De Santis dhe tentoi të vriste të shoqen, Teftën.

Gjykata në Foggia të Italisë mori vendimin të shtunën duke i mohuar gjykimin e shkurtuar dhe vlerësimin psikiatrik. Siç shkruajnë mediat italiane, përkundrazi, gjykatësit kanë pranuar me dhjetëra dokumente.

Avokati i Tefta Malajt, Roberto De Rossi tha se procesi gjyqësor për këtë rast do të jetë i gjatë dhe kompleks.

“Duam të evidentojmë sjelljen e të pandehurit para dhe pas vrasjes në aspekte të ndryshme që lidhen më vonë me dënimin. Ne do të vazhdojmë në mënyrë konkrete me objektivat tona të qarta duke vlerësuar ato që dalin nga hetimi paraprak”, tha ai.

Siç shkruajnë mediat në proces do të shfaqen disa video, si ato që janë survejimi ashtu edhe nga ato të xhiruara nga vetë Malaj pas masakrës. Këto imazhe janë të paedituara dhe tronditëse. Seanca e radhës gjyqësore është parashikuar që të mbahet në muajin maj.

Si ndodhi krimi

Vitin e shkuar, Taulant Malaj, vrau të bijën e tij 16-vjeçare, si dhe  50-vjeçarin Massimo De Santis me të cilin dyshonte se gruaja e tij kishte lidhje jashtëmartesore.

“Gruaja ime pranoi që kishte lidhje me Massimon, më kërkoi falje për këtë lidhje, por unë doja të ndahesha”, pati deklaruar tha Malaj përpara prokurorëve italianë.

Sipas rrëfimit të bukëpjekësit shqiptar, para krimit, ai kishte pasur debate në familje, gjithmonë për tradhtinë e pretenduar dhe i kishte kërkuar divorcin bashkëshortes.

Megjithatë, gruaja e tij e bindi të qëndronte në shtëpi dhe të vijonin martesën. Malaj, në rrëfimin e tij deklaron se e kishte gjetur disa herë gruan e tij në katin e tretë të pallatit, ku banonte 50-vjeçari italian me të cilin dyshohej se kishte një lidhje.

Zënka ditën e ngjarjes së rëndë ndodhi për shkak të disa mesazheve që burri gjeti në telefonin e bashkëshortes.

“Ishin në shtrat, gruaja filloi të bisedonte me dikë. Malaj pa telefonin e gruas dhe zbuloi se ajo po bisedonte me fqinjin, Massimo De Santis. Doli nga shtëpia dhe priti që burri të kthehej në shtëpi. Sapo Massimo hyrë në derë e goditi me thikë dhe e vrau”, deklaruan avokatët mbrojtës të shqiptarit.

“Fillimisht ka vrarë Massimon, më pas është ngjitur në shtëpi ku ka nisur të godasë me thikë gruan dhe më pas vajzën, e cila po tentonte të mbronte nënën e saj. Në atë moment, i verbuar nga inati, ai nuk e kuptoi se kishte përballë vajzën dhe filloi ta godiste”, vijuan avokatët.

Në momentet e arrestimit Malaj pyeti policët: “Si është Xhesika, a është mirë?”, duke dëshmuar gjendjen konfuze në të cilën ai ndodhej.

Pas vrasjes, burri ka xhiruar një video dhe ia ka dërguar një bashkatdhetari të tij, video e cila më pas është përhapur gjerësisht në rrjete sociale.