Aktualitet Zylfie Haklaj flet me emra: Ja kush tentoi të fusë në kurth...

Zylfie Haklaj flet me emra: Ja kush tentoi të fusë në kurth vëllezërit e mi, duke vrarë një polic

Zylfie Haklaj

Zylfie Haklaj: Shkëlqim Haklaj vrau vëllezërit Demaj, kërkojmë ndjesë për ngjarjen e rëndë

 Top Story në intervistën ekskluzive me Zylfie Haklaj, i kushtoi vëmendje vrasjes së vëllezërve Demaj, më 7 gushtit 1993. Pas ngjarjes së Shkëlzenit, Hamdiu dhe Shkëlqimi, fshihen nëpër bjeshkë për ti shpëtuar arrestimit nga policia. Me ta thuhet se u bashkua edhe vëllai tjetër Fatmiri.

“Ne jemi shumë të indinjuar për këtë ngjarje e për gjithë jetën do jetë një peng për familjen tonë e kur e mësuam që ishin dy vëllezër ishte shumë më e dhimbshme. ne për të gjithë jetën, si për vëllezërit tonë dhe për ato mendojmë dhe jemi të mërzitur”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.

Mes familjeve Haklaj dhe Demaj ka pasur kontakte pas ngjarjes. Haklajt shtrin dorën e pajtimit që nuk ndodhi kurrë. Pavarësisht kësaj, mes dy familjeve, sipas Zylfie Haklajt nuk ka pasur përplasje.

“Familja jonë ka bërë tentative për të takuar familjen e të ndjerëve, e kemi takuar babain dhe xhaxhallarët, por fatkeqësisht babai i tyre vdiq dhe xhaxhallarët e tyre s’kanë qenë të një mendimi dhe nuk kemi bërë dot një pajtim me këtë familje. Mosreagimi i tyre, meqenëse si familje s’kanë tentuar kurrë për hakmarrje, as nuk kanë thënë gjë të keqe, ne na ka bërë më të përulur para tyre e më të mërzitur”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.

Operacionet për arrestimin e vëllezërve Haklaj rezultuan të pasuksesshme. Ka pasur informacione se për vite me radhë ata kanë jetuar në Gjermani. Motra e tyre rrëfen pas më tepër se 20 vitesh se ata kurrë nuk janë larguar nga Shqipëria në atë kohë. Ata, kanë qarkulluar në zonë. Kjo tregon se sa i pafuqishëm ishte shteti përballë vëllezërve Haklaj, që tashmë emrin e kishin të njohur në të gjithë vendin.

“Shkëlqimi as vëllezërit kurrë nuk u arratisën, erdhi në Haklaj, pruri lajmin dhe bashkë me Hamdiun kanë qenë në bjeshkë, në Tropojë, kurrë s’janë arratisur”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.

Forcat speciale do të zhvillonin një sërë aksionesh për kapjen e vëllezërve Hamdi dhe Shkëlqim Haklaj, por pa rezultat. Në 5 Tetor të vitit 1995, kulla e Haklajve do të rrethohej në një aksion masiv të forcave speciale. I gjithë fshati Kërrnajë ishte vendosur në shtetrrethim nga policia. Operacioni mbështetej edhe me helikopterë nga ajri.

“Troket policia në derë, baba hap derën, policia vazhdon kontrollin në banesë dhe pas disa minutash dëgjohen të shtëna të shumta në lagje, dhe baba i thotë komandantit që drejtonte kontrollin, ka ndonjë problem, ai menjëherë del në oborr, thërret mos qëlloni, pas erdhi u tha s’ka asnjë problem e tha që s’kemi gjetur gjë të paligjshme pas kontrollit”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.

Të shtënat që kishin nisur papritur në fshatin e rrethuar i kishin marrë jetën policit Mehdi Vatoci nga Tropoja. Pas disa orësh, policia rikthehet te kulla e Haklajve dhe shoqëron plakun Muharremin, dhe djemtë Halilin dhe Yllin. Atyre, do tu ngarkohej edhe vrasja e policit, me të cilin në fakt kishin lidhje të afërta shoqërore dhe miqësore. Për herë të parë, Zylfie Haklaj, përmend zyrtarë të lartë, të cilët sipas saj janë implikuar në skenarin e akuzës së padrejtë ndaj Hakljave, për vrasjen e policit.

“Sabri Jaça që ishte zv. Ministër i Brendshëm i thotë babës: e vratë policin dhe baba i thotë nuk dimë që është vrarë një polic, baba i thotë që nëse është e vërtetë ose ne ose ky, për Lulzim Sallakun e kemi vrarë. Lulzim Sallaku në atë kohë ishte shef i komisariatit Bajram Currit. Jaça i thotë: çfarë i thua plakut, ai thotë që ma hodhën këta maskarenjtë këtij”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve

Vrasja e Vatocit nuk është zbardhur sot e kësaj dite. Haklajt u vunë nën akuzë nga policia, por asnjë provë nuk kishte kundër tyre. Për më tepër, në momentet e vrasjes, burrat e familjes ndodheshin në banesë, ku kishte edhe efektivë policie që po kontrollonin. Ndërsa Hamdiu dhe Shkëlqimi ishin në arrati.

“Polici dhe familja e policit ka pas marrëdhënie me familjen tonë e polici ka pasur miqësi me Halilin, me vëllain, mendojmë që ata për të mbuluar informacion, për të inkriminuar ne si familje e se përjashtojmë mundësinë që është vrarë edhe pa dashje”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.

Zylfija, zbardh edhe një bisedë të vëllait, Halilit me Arjan Muçën, në atë kohë Shef Krimesh në Tropojë.

“Kur ka ardhur Arjan Muça që kontrollonte i tha Halilit, Halil tha, pse dilni hapur ju kundër PD-së? Ku e dini ju tha me kë jam unë, psh, ai tani është në punë me PS, dhe i thotë pse del i hapur, dmth, tregoi se po sulmojnë se jeni kundër shtetit”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.

Interesant është fakti se shumë vite më vonë, pikërisht Arjan Muça është akuzuar në sallën e gjyqit nga Dritan Dajti për vrasjen e policit Vatoci.

Muça ishte thirrur si dëshmitar në procesin për vrasjen e 4 policëve nga Dajti në vitin 2008. Pikërisht Muça ishte drejtues i aksionit për arrestimin e Dajtit.

Por le të kthehemi tek ngjarja.

Familja e Vatocit nuk dyshoi kurrë te Haklajt. Miqësia mes dy familjeve nuk u vu në dyshim, madje, ishte po njësoj e fortë si më parë. Dy ditë pas ngjarjes, Haklajt lirohen nga policia. Muharremi me Halilin dhe Yllin nisen drejt e në banesën e të ndjerit Medi Vatoci.

“Familjarët e Mediut kurrë s’kanë dyshuar, kanë prit babën e vëllezërit, kanë qëndruar aty e kurrë s’kanë shprehur dyshim. Halili e kishte mik, sikur vëlla, atë dhe vëllain e tij tjetër, astritin i ka thënë Halil na e vranë vëllain, Halili qante si fëmijë”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.

Pas ngjarjes ku u vra polici Vatoci, gjatë javëve në vijim policia zhvilloi disa kontrolle të befta në kullën e Haklajve ku u vendosën edhe përgjues. Sot, vajza e familjes, Zylfija, zbulon një episod për të cilin nuk është folur kurrë më parë.

“Ata pajisën një polic quajtur Përparim Sulaj, që të kontaktonte me vëllain, Yllin, Ylli të dërgonte te Shkëmbi i Rajës Hamdiun, Fatmirin e Shkëlqimin për të grabitur paret e komunës Lekbibaj, e Ylli e kuptoi kurthin e i thotë po shkoj me vëllain tënd. Ai i thotë jo se vëllai im është i ri. Në këtë moment Ylli dëgjon përgjuesin, e bllokon policin, i merr pistoletën, përgjuesin. Të nesërmen shkoi në komisariatin në Bajram Curr, dorëzoi pistoletën”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.

Përgjuesi për të cilin flet Zylfija nuk dihet se ku ka përfunduar. Ajo që dihet është se e ka mbajtur vetë Ylli derisa ishte gjallë. Nga ana proceduriale, nuk ka pasur kurrë një hetim mbi këtë pretendim të Haklajve.

“Ylli nuk pranonte të dorëzonte përgjuesin, thoshte do ta kem si provë, se deri ku arrin Sali Berisha kundër familjes tonë për të vrarë e poshtëruar. Kjo ishte tentative e parë për të vrarë vëllezërit e për ti hedhur në kurth”, – rrëfen Zylfie Haklaj, Motra e Haklajve.