Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka zbuluar datën se kur do të rifillojë procesi mësimor pas festave të fundvitit.
Duke folur për gazetarët nga qyteti i Pustecit, ku ishte në një vizitë me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ministrja Kushi u shpreh se shkollat do të fillojnë në datën 11 Janar 2021.
“Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm që sistemi online nuk e ka efikasitetin 100% siç do ta kishte mësimi që zhvillohet në bankat e shkollës. Megjithatë siç e thatë dhe ju, kjo është një pandemi dhe kjo është një sakrificë që ne të gjithë duhet ta bëjmë. Por skenari që ne kemi aplikuar në shkollat tona është një skenar fleksibël që varet nga specifikat e çdo shkolle; nga numri i nxënësve, nga hapësirat që ka shkolla dhe situata e pandemisë. Sepse në zona periferike vihet re që numri i infektimeve është shumë i ulët. Dhe konkretisht dhe në këtë shkollë, nga informacioni që mora, pothuajse nuk ka fare raste infektimesh dhe kjo do të thotë që mësimi këtu vazhdon. Normalisht nxënësit janë në bankat e shkollës sipas skenarit të parë.
Ndërkohë që skenari i dytë i kombinuar aplikohet më shumë në ato shkolla të mëdha ku ka shumë numër nxënës, ku numri i të infektuarve është më i madhe dhe rreziku i përhapjes së virusit gjithashtu është më i madh. Siç e dini kjo është java e fundit, kanë mbetur edhe 3 ditë nga java që vjen që do të vazhdojë po në të njëjtin skenar.
Ndërkohë që për vitin e ardhshëm shkolla do të fillojë jo në datën 4 siç ishte parashikuar në urdhrin fillestar, por në bashkëpunim edhe me Komitetin e Ekspertëve është vendosur të jetë data 11, 11 Janar”, u shpreh ministrja e Arsimit.