Partia Socialiste ka nisur projektimin e kandidaturave për gjashtë bashkitë ku më 6 mars do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore dhe vëmendja është në Durrës dhe Shkodër.
Në përzgjedhjen e emrave që do të kandidojnë do të merret parasysh porosia e Edi Ramës, që përjashtoi nga kandidatët potencialë emrat që sot mbajnë mandatin e deputetit dhe në këtë këndvështrim do të kërkohen emra që kanë lidhje të forta me komunitetin.
Për këtë qëllim është mbledhur Kryesia e PS-së së Durrësit, ku përflitet si kandidate favorite Emirjona Sako, që aktualisht mban postin e kryetares së komanduar të kësaj bashkie. Në Shkodër emri që përflitet jozyrtarisht është Prefektja aktuale e këtij Qarku, Majlinda Angoni.
Diskutimet e nisura me shpejtësi për kandidatët në këto dy bashki orientojnë se socialistët në këtë fushatë të parakohëshme dhe të pjesshme vendore do të përqëndrohen më fort në Durrës dhe Shkodër, ndërsa mbeten për t’u mësuar emrat potencialë në Lushnje, Vorë, Rrogozhinë dhe Dibër.
Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama tha se këto zgjedhje kanë rëndësi për komunitetet përkatëse, por tha se PS nuk do të bëjë fushatë për jetë a vdekje, duke shtuar se ai personalisht dhe partia do të përqendrohen më shumë te nisma e Këshillimit Kombëtar.