Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen 17/1 në rrugën “Shenjtorët”. Mësohet se eksplozivi i është vënë fasadës së një dyqani që i përket një 58-vjeçari. Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale.
Dyshohet se sasinë e lëndës plasëse e ka vendosur një 31-vjeçar me iniciale D.K. Kjo për shkak të një konflikti të mëparshëm që ka pasur ai me pronarin e dyqanit. Për të vënë sasinë e eksplozivit 31-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë, të cilët mbeten ende të paidentifikuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për dokumentimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarjeje.