Një 29-vjeçar është arrestuar ditën e sotme dhe bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim pasi kanë kërcënuar me jetë një person që t’u jepte 150 mijë paund.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Undone”, ka rënë në pranga 29-vjeçari i identifikuar si V. K., banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, si dhe u shpall në kërkim shtetasi O. B., 39 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer në bashkëpunim.
“Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas kanë shantazhuar dhe kanosur për jetën, shtetasin T. M., për t’u dhënë atyre 150 000 paund. Vijon puna për kapjen e 39-vjeçarit”, njofton policia.
Ndërkohë, mësohet se V.K dhe O.B. pretendojnë se vëllai i shtetasit T.M. u ka vjedhur të afërmve të tyre në Angli një shumë parash në banesë.