Politika Edi Rama rikthen në skenë Vangjel Tavon, e emëron prefekt të Vlorës

Edi Rama rikthen në skenë Vangjel Tavon, e emëron prefekt të Vlorës

Vangjel Tavo është emëruar nga kryeministri Edi Rama si prefekt i qarkut të Vlorës, duke zëvendësuar në këtë post Flamur Mamajn.

Vendimi për Tavon është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë.

VENDIM PËR LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË VLORËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Z. Flamur Mamaj, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë.
  2. Z. Vangjel Tavo emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

Rikthimi në skenë i Tavos

Tavo ka qenë deputet i qarkut të Gjirokastrës nga radhët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, por nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë e ndërsjelltë me kryeministrin Edi Rama.

Emri i Tavos ka qenë në qendër të vëmendjes disa javë më parë, pasi emri i tij u përmend nga mediat greke, si kandidat i mundshëm i Ramës për Bashkinë e Himarës, në rast se zgjedhjet do të përsëriteshin me dënimin e Fredi Belerit.

Vdekja e vajzës

Para disa muajsh, Vangjel Tavo, i cili ka mbajtur edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit, kaloi edhe një moment shumë të rëndë familjar.

Vajza e tij humbi jetën më 29 nëntor 2023 hënë si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në Maqedoninë e Veriut.

E ndjera Eva Tavo ishte 30 vjeç.