Për herë të parë në histori, shkencëtarët kanë qenë në gjendje të regjistrojnë një video të bashkimit dhe ndarjes së atomeve, një proces që zhvillohet në një shkallë që është 500,000 herë më e vogël se diametri i një floku njerëzor.
Duke përdorur “metodat e përparuara të mikroskopisë”, fizikantë dhe kimistë në Universitetin Ulm në Gjermani dhe Universitetin e Nottingham në Mbretërinë e Bashkuar ishin në gjendje të kapnin lidhjen dhe më pas ndarjen e dy atomeve mes 0.1 dhe 0.3 nanometra në madhësi, raporton Sky News.
Për ta realizuar këtë, ata përdorën një mikroskop elektronik të transmetimit (TEM) për të vëzhguar një mostër shumë të hollë përmes një rrezeje të ngushtë me energji të lartë. Nanotubat e karbonit u përdorën për të kapur atomet dhe molekulat dhe pozicionimin e tyre aty ku ishte e nevojshme.
“Ne kapëm një çift të atomeve të rheniumit (Re) që u bashkuan për të formuar Re2. Për shkak se rheniumi ka një numër të lartë atomik, është më e lehtë ta shohësh atë me TEM sesa elementët më të lehtë, kështu që ne mund të identifikojmë secilin atom të atij metali si një vend të errët”, tha kimisti Andrei Khlobystov nga Universiteti i Nottingham.
Rhenium është ndryshe një nga elementët e tjerë të rrallë në natyrë. Eshtë metal i bardhë argjendi, me numrin atomik75.
Në video mund të shohim se si dy atomet e rheniumit bashkohen me njëri-tjetrin, pastaj lëvizin dhe lëkunden, përpara se të ndahen dhe prishen.
“Me sa dimë, kjo është hera e parë që është regjistruar zhvillimi, formimi dhe ndarja e një lidhjeje atomike. Ne besojmë se në të ardhmen, mikroskopia e elektroneve mund të bëhet një metodë e pranuar e studimit të reaksioneve kimike”, tha Khlobystov.