Sport Abraham bën liderin te Chelsea, United “i falet” Rashford, Mane dhe Salah...

Abraham bën liderin te Chelsea, United “i falet” Rashford, Mane dhe Salah dhurojnë spektakël

Chelsea u beson të rinjve dhe arrin të rikthehet te fitorja, duke triumfuar me rezultatin bindës 2-5 në transfertën e vështirë ndaj Wolvesit.

Tamy Abraham ishte sërish protagonist për londinezët, pasi arriti të shënojë një tripletë në sfidën e sotme, duke shkuar në kuotën e 7 realizimeve, në 5 javët e para.

Dy golat e tjerë për skuadrën e Lampard u shënuan nga mbrojtësi Fikayo Tomori dhe mesfushori Mount, ndërsa Wolves u kundërpërgjigj me një gol nga Cutrone dhe një autogol të Abraham.

Fitore të thellë mori edhe skuadra tjetër londineze, Tottenhami, që mposhti 4-0 Crystal Palace, në një takim ku gjithçka u vendos në pjesën e parë. Son Hueng Min shënoi dy gola, ndërsa dy të tjerët u shënuan nga Lamesa dhe autogoli i Van Arnholt.

Mjaftoi një gol i Marcus Rashford në minutën e 8’ me 11-metërsh, riktheu pas 3 ndeshjesh te fitorja edhe Manchester United, që mposhti me rezultatin minimal 1-0 Leicesterin në “Old Trafford”.

Në sfidat e tjera Southamptoni triumfoi 0-1 në transfertën ndaj Sheffield United, ndërsa Brighton dhe Burnley ndanë nga një pikë në barazimin 1-1.

Liverpooli përmbys Newcastle

5 ndeshje 5 fitore, 15 gola të shënuar dhe 4 të pësuar, vendi i parë me pikë të plota. Liverpooli i këtij sezoni duket thjesht pa rivalë në Premier League, edhe pse ende nuk është përplasur me kundërshtarët më të fortë, përjashto Arsenalin që e mposhti në javën e 3-të në “Anfield” me rezultatin 3-1.

Me të njëjtat shifra erdhi edhe suksesi i radhës, por në “Anfield”, përballë Newcastle United. E përkohshme shkëndija e “qymyrxhinjve” në fillimin e sfidës, teksa Willems nuk i dha asnjë shans reagimi portierit Adrian, pas një veprimi të bukur individual.

Pak më shumë se 20 minuta zgjati epërsia e miqve, pasi Sadio Mane u shfaq me tërë klasin e tij, me një goditje të saktë paksa prirët me portën, që përfundoi në trekëndësh.

Një gabim na dalje i portierit Dubravka, në fundin e pjesës së parë, u shfrytëzua nga i njëjti autor, Mane, për golin e epërsisë së Liverpoolit (2-1).

Nuk mund t’i mungonte festës së “The Reds” Salah, me një shpërthim në stilin e tij në të 72-ën, duke realizuar një gol të thjeshtë, por që të tillë e bëjnë të duket vetëm lojtarë të kalibrit të “faraonit”.