Aktualitet Aksidenti te “Rruga e Elbasanit”, arrestohet 23-vjeçari, ishte nën efektin e drogës

Aksidenti te “Rruga e Elbasanit”, arrestohet 23-vjeçari, ishte nën efektin e drogës

Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit, i cili mbrëmjen e 1 Janarit u përfshi në aksident në rrugën e Elbasanit në kryeqytet.

Ardit Kambo u ndalua për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt. Rreth orës 19:30 Kambo, duke lëvizur nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit me drejtim “Rrugën e Elbasanit”, pranë kryqëzimit humbi kontrollin e mjetit tip Benz.

Fillimisht automjeti përfundoi në trotuar dhe pasi dëmtoi kangjellat e rrugës dhe pemët, kaloi në krahun tjetër të rrugës.

Si pasojë e përplasjes makina e drejtuar nga 23-vjeçari i shkaktoi dëme edhe një tjetër mjeti tip Benz që drejtohej nga një tjetër i ri.

Menjëherë pas aksidentit, shoferit Ardit Kambo iu bë testi i alkoolit me aparatin drager, por rezultoi se nuk kishte konsumuar pije alkoolike.

Më pas u shoqërua në ambientet e Komisariatit nr.1, ku iu nënshtrua testit me aparat drogë-testues Aquila Scan. Nga testimi në laborator, rezultoi se Kambo po drejtonte mjetin nën ndikimin e lëndëve narkotike.

Gjatë vitit që lamë pas, vetëm në Tiranë nga kontrollet e policisë janë arrestuar 64 drejtues mjeti nën efektin e lëndëve narkotike.

Ndaj shoferit Ardit Kambo u vendos dhe masa administrative prej 82 mijë lekësh të rinj ndërsa iu ulën 10 pikë nga patenta.