Politika Ambasadori gjerman: Të zbatohet marrëveshja e 5 Qershorit

Ambasadori gjerman: Të zbatohet marrëveshja e 5 Qershorit

Zgjedhjet e 25 Prillit kanë rëndësi të madhe për të ardhmen politike të Shqipërisë. Kështu u shpreh ambasadori gjerman Peter Zingraf gjatë një ceremonie që u zhvillua me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

Ai bëri thirrje që të vijojë me konstruktivitet gjithëpërfshirës zbatimi i marrëveshjes së 5 Qershorit i arritur mes palëve për Reformën Zgjedhore.

Zingraf u shpreh se Shqipëria ndodhet përpara disa sfidave të rëndësishme si rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të koronavirusit, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

“Zgjedhje të lira, të ndershme e të paqta në datën 25 prill 2021 janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit, i cili është para sfidash të rëndësishme: rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të Coronës, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Ndaj hapat e mëtejshëm në zbatim të marrëveshjes mbi Kodin Zgjedhor të arritur në Këshillin Politik në datën 5 qershor duhet të vijojnë më tej në një frymë konstruktive gjithëpërfshirjeje. Koha deri në zgjedhje është e paktë, shumë duhet bërë ende”, u shpreh Zingraf.

Kushtet e vendosura nga BE për integrimin duhet që të përmbushen sipas Zingraf dhe kjo është në interesin e vetë shqiptarëve. Ai u bëri thirrje të gjithë drejtuesve politikë dhe institucioneve që ta zbatojnë këtë prioritet.

“Ndaj u bëj thirrje të gjithë atyre, që mbajnë përgjegjësi politike si dhe të gjitha institucioneve relevante të zbatojnë së bashku këtë prioritet kombëtar dhe të çojnë përpara reformat në mënyrë të vendosur e të besueshme. Vetëm kështu njerëzit do të mund të rifitojnë besimin e nevojshëm në politikë dhe drejtësi”, tha Zingraf.

Zingraf ka shtuar se Gjermania ka investuar që prej vitit 1988 më shumë se 1 miliard eurosh në formë grantesh dhe kredish në Shqipëri.

“Gjë që e shndërron Gjermaninë në donatorin bilateral më të madh në vend. Edhe në kontekstin e ndihmës, që vijon ende në funksion të përballjes me tërmetin dhe pandeminë, ne marrim pjesë me kontribute të qenësishme”, tha ai.