Aktualitet Autoriteti i Konkurrencës miraton duopolin në tregun e telefonisë celulare

Autoriteti i Konkurrencës miraton duopolin në tregun e telefonisë celulare

Nga Sami Curri – BIRN

Autoriteti i Konkurrencës miratoi shitjen e operatorit të dytë më të madh të telefonisë celulare në Shqipëri, ONE Telecommunications te kompania hungareze 4iG. E njëjta kompani bleu më parë edhe 80.27% të aksioneve të kompanisë “Albtelecom”, që zotëroheshin nga konsorciumi turk CETEL.

4iG zotëron aktualisht rreth 57 për qind të tregut të telefonisë celulare në vend dhe sipas Autoritetit të Konkurencës, do të ketë edhe 59 për qind të frekuencave me shpejtësi të lartë – duke e çuar tregun e telekomunikacioneve një situatë duopoli.

Në vendimin e publikuar të martën, Autoriteti i Konkurrencës thotë se miratimi është bërë me kushte, përfshi detyrimin e 4iG që të mos pengojë operatorët e rinj apo të mos abuzojë me çmimet. Vendimi nuk sqaron megjithatë se si do të zbatohen këto kushte, ndërsa monitorimi i lihet si detyrë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP.

“Vlerësimi i efekteve që do të sjellë përftimi i kontrollit të shoqërisë One Telecommunications SHA dhe Albtelecom SHA nga shoqëria 4iG Nyrt do të bëhet ex-post, gjatë periudhës së monitorimit të sjelljes së ndërmarrjeve të prekura nga ky transaksion,” thuhet në vendim.

Si justifikim për vendimin, Autoriteti i Konkurencës thotë se: “Albtelecom SHA nuk rezulton një konkurrent eficent sipas treguesve ekonomikë”.

Autoriteti i Konkurrencës pohon gjithashtu se përmes kombinimit të dy infrastrukturave, kompania hungareze do të mundësojë krijimin e rrjetit “më të mirë dhe më të fuqishëm kryesues 5G…”.

Gjatë vitit 2020, ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike kanë raportuar rreth

33,45 miliardë lekë të ardhura, ku pjesën më të madhe e realizojnë të ardhurat nga shërbimet e telefonisë celulare me rreth 23.9 miliardë lekë.

Operatori me të ardhurat më të larta është Vodafone me rreth 38% të totalit; i ndjekur nga One Telecommunications me rreth 24% dhe Albtelecom me rreth 21% të tregut. Pjesa tjetër prej 17% e të ardhurave ndahet mes operatorëve të tjerë të rrjeteve fikse.

Autoriteti i Konkurrencës e pranon në vendim se tregu i shërbimeve të telefonisë celulare me pakicë do të ketë karakteristikat e një tregu duopol, në të cilin do të operojnë dy konkurrentë.

Kompania Vodafone Albania që mbetet konkurrenti i vetëm i 4iG-së është cituar në vendimin e Autoritetit se ka rënë dakord me shit-blerjen, por ka kërkuar vendosje të rregullave.

“Dëmet që mund t’i vijnë tregut duhet të evidentohen në detaje përpara miratimit të përqendrimin të tregut,” citohet qëndrimi i Vodafone.

Megjithatë, Vodafone citohet të thotë se “një treg i shëndetshëm dhe konkurrues mund të funksionojë plotësisht edhe me 2 operatorë”.

Brenda harkut të tre viteve, kjo është shitja e tretë e ONE Telecommunications. Transaksioni i fundit ndodhi kur konsorciumi i Albania Telecom Invest e bleu operatorin e dytë më të madh të shërbimeve celulare në Shqipëri, Telekom Albania, në fillim të vitit 2019 për 50 milionë euro.

Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës thuhet se një ndryshim i tillë do të sjellë efektet e një përqendrimi horizontal në tregun e shërbimeve celulare me pakicë dhe nuk do të ketë efekt në tregun e shërbimit të telefonisë fikse.

Si përfundim, Autoriteti i Konkurrencës vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Albania Telecom Invest AD nga shoqëria 4iG, me disa kushte dhe detyrime, të cilat sipas vendimit do të monitorohen në dy vitet e ardhshme.