Aktualitet Banorët e Rinasit protestë për devijimin e rrugës: Nuk çojmë dot fëmijët...

Banorët e Rinasit protestë për devijimin e rrugës: Nuk çojmë dot fëmijët në shkollë

Vendimi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për devijimin e lëvizjes drejt aeroportit të Rinasit vetëm me një sens ka çuar në protestë banorët e zonës.

Në protestën e sotme që zgjati për rreth një orë ka pasur edhe përplasje me policinë. Ndërsa mësohet se banorët do të dalin sërish në protestë dhe në ditët në vijim deri në ndryshimin e këtij vendimi.

“Nuk erdhën të flisnin me ne, tani kanë sjellë policinë për të na rrahur. Nuk çojmë dot fëmijët në shkollë”, mësohet të jenë shprehur ata.

Duke filluar nga data 1 Maj e këtij viti, të gjithë ata që udhëtojnë drejt aeroportit të Rinasit duhet të ndjekin udhëzimet më të reja që ka bërë publike Autoriteti Rrugor Shqiptar.

ARRSH ka vendosur që për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq. Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.